Trajneri i Real Madridit, Xabi Alonso, tashmë po përballet me mungesa të shumta para përballjes vendimtare ndaj Atletico Madridit në Superkupën e Spanjës, por duket se në fund do të mund të llogarisë në shërbimet e Antonio Rudiger. Mbrojtësi gjerman u bë një dilemë e vonshme të mërkurën.
Alonso nuk do ta ketë në dispozicion sulmuesin kryesor Kylian Mbappé për shkak të një problemi në gju, ndërsa Trent Alexander-Arnold dhe Eder Militao janë gjithashtu jashtë për shkak dëmtimesh. Ndërkohë, Brahim Diaz ndodhet me Marokun në Kupën e Kombeve të Afrikës.
Dani Carvajal është rikthyer në listën e të gatshmëve, por ka pak gjasa të startojë, ndërsa Fede Valverde pritet të vazhdojë të aktivizohet në krahun e djathtë të mbrojtjes.
Rudiger është kandidat për të nisur ndeshjen në qendër të mbrojtjes, së bashku me njërin nga Dean Huijsen ose Raul Asencio.
Huijsen mungoi në fitoren 5-1 ndaj Real Betisit për shkak të shqetësimeve në gju, por pritet të jetë i gatshëm për sfidën ndaj Atleticos.
Sipas raportimeve të Cadena Cope, Rudiger ndjeu dhimbje në gju të mërkurën dhe mungoi në seancën stërvitore të mbrëmjes, duke vënë në pikëpyetje vendin e tij në formacionin titullar. Megjithatë, pritet që ai të jetë i gatshëm për të luajtur në derbin madrilen.
Të gjitha sinjalet tregojnë se sulmuesi Gonzalo Garcia do të jetë titullar në qendër të sulmit, mes Rodrygos dhe Vinicius Junior, në mungesë të Mbappes.
García realizoi një het-trik ndaj Real Betisit dhe roli i tij natyral si numër nëntë i dha një shtysë të dukshme lojës sulmuese të Real Madridit, duke rikujtuar paraqitjet e tij të mira në Botërorin e Klubeve./Telegrafi/