Mesfushori Tijjani Reijnders ka paralajmëruar Arsenalin se gara për titull në Ligën Premier është larg përfundimit, duke theksuar se Manchester City është “në gjah” dhe po ushtrojnë presion të madh në javët vendimtare të sezonit.
City aktualisht janë katër pikë prapa “Topçinjve” në krye të tabelës, pasi regjistruan dy fitore radhazi ndaj Liverpoolit dhe Fulhamit, duke rikthyer fuqishëm shpresat për mbrojtjen e titullit.
Reijnders beson se skuadra e drejtuar nga Pep Guardiola do të vazhdojë të ushtrojë presion maksimal.
“Humori ka qenë i mirë, por ka qenë i mirë edhe më parë. Sigurisht, edhe ne kemi humbur disa pikë, por jemi në gjah dhe do të vazhdojmë. Duhet të shohim, natyrisht, por nëse vazhdojmë kështu, kush e di?”, deklaroi mesfushori pas fitores 2-0 në FA Cup.
Holandezi, i cili iu bashkua Cityt verën e kaluar nga AC Milan për 46.3 milionë funte (55 milionë euro), ka realizuar pesë gola dhe ka dhuruar dy asistime në kampionat. Ai ka kompletuar 294 pasime në të tretën e fundit të fushës, shifra e gjashtë më e lartë në skuadër këtë sezon.
“Fatmirësisht kam luajtur shumë ndeshje deri tani dhe trajneri më ka dhënë kohë për t’u përshtatur, por më pëlqen shumë. Më pëlqen Liga Premier dhe sidomos më pëlqen skuadra ku po luaj tani”, përfundoi Reijnders.
Sipas superkompjuterit të Optas, Arsenal ka aktualisht 85.3 për qind gjasa për ta fituar titullin, ndërsa shanset e Cityt vlerësohen në 12.8 për qind./Telegrafi