Barcelona ka kaluar disa javë të vështira, megjithatë u rikthye të dielën me një fitore rutinë ndaj Levante
Katalanasit zhvilluan një paraqitje të mirë në atë ndeshje, ku lojtari më i spikatur ishte Joao Cancelo.
Ka qenë një fillim i vështirë për Cancelon në aventurën e tij të dytë në Kataloni, me sfidën ndaj Levantes që ishte vetëm starti i tij i tretë në të gjitha garat.
Megjithatë, ai ka të gjitha mundësitë për ta siguruar një vend në formacionin titullar të Barcelonës pas një paraqitjeje shumë të mirë në ‘Spotify Camp Nou’, gjë që përbën lajm të keq për Alejandro Balde.
Balde nuk ka qenë titullar në asnjërën prej dy ndeshjeve të fundit të Barcelonës, kundër Gironës dhe Levantes.
Sipas Mundo Deportivo, ai rrezikon seriozisht ta humbasë vendin e titullarit në vazhdim, me trajnerin Hansi Flick që ka preferuar Gerard Martín dhe Cancelon në ato përballje, përkatësisht në ‘Montilivi’ dhe në ‘Spotify Camp Nou’.
Balde ka qenë i paqëndrueshëm këtë sezon. Në disa momente ka dhënë paraqitje të mira, por shumë shpesh ka hasur vështirësi, çka me gjasë ka shtyrë Flickun të provojë alternativa të tjera në dy ndeshjet e fundit.
Situata e Baldes vjen në një kohë kur ai është lidhur me një largim të mundshëm nga Barcelona gjatë afatit kalimtar të verës së ardhshme.
Manchester United ka shprehur interesim për të, ndërsa edhe Interi po shqyrton mundësinë e një lëvizjeje për mbrojtësin 22-vjeçar./Telegrafi/