Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se bota po hyn në një fazë të re të zhvillimit të energjisë bërthamore dhe se gara për këtë teknologji tashmë ka filluar.
Duke folur për rolin e Evropës në këtë fushë, ajo theksoi se kontinenti ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për t’u bërë një nga liderët kryesorë globalë në energjinë bërthamore.
Sipas saj, sektori bërthamor evropian është tashmë shumë i zhvilluar dhe përfaqëson një bazë të fortë për avancim të mëtejshëm.
Aktualisht, rreth 500 mijë punëtorë shumë të kualifikuar janë të punësuar në këtë industri në Evropë, një numër që tejkalon edhe atë të Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Ky potencial njerëzor dhe teknik, sipas Von der Leyen, i jep Evropës një avantazh të rëndësishëm në zhvillimin e teknologjive të reja bërthamore.
Ajo theksoi gjithashtu se inovacioni do të jetë çelësi për të ardhmen e kësaj industrie. Një nga drejtimet kryesore të zhvillimit janë reaktorët modularë të vegjël, të cilët konsiderohen më fleksibil, më të sigurt dhe më të shpejtë për t’u ndërtuar sesa centralet tradicionale bërthamore.
Këto teknologji të reja mund të luajnë një rol të rëndësishëm në prodhimin e energjisë së qëndrueshme dhe në uljen e varësisë nga burimet fosile.
Në këtë kontekst, von der Leyen theksoi se Evropa duhet të investojë më shumë në kërkim shkencor, teknologji dhe bashkëpunim ndërmjet vendeve anëtare.
Qëllimi është që kontinenti të shndërrohet në një qendër globale për zhvillimin dhe prodhimin e energjisë bërthamore të gjeneratës së ardhshme, duke kontribuar njëkohësisht në sigurinë energjetike dhe në luftën kundër ndryshimeve klimatike. /Telegrafi/