Mesfushori portugez Vitinha ka zbuluar për herë të parë përvojën e tij duke luajtur me Lionel Messin, Neymar Jr. dhe Kylian Mbappé te Paris Saint-Germain.
Në një intervistë për Canal 11, ai foli për talentin e jashtëzakonshëm të këtyre yjeve, por gjithashtu theksoi vështirësitë e balancimit të lojtarëve super-yje me punën kolektive të ekipit.
“Ishte një privilegj të ndaja dhomën e zhveshjes dhe fushën me ta, dhe të mësosh gjëra të reja. Ata janë në një nivel të veçantë, thuajse jashtëtokësor – shohin gjëra që ne nuk i vëmë re”, deklaroi Vitinha.
Megjithatë, ai ishte i qartë se të kesh tre nga lojtarët më të mirë në botë në të njëjtin skuadër kërkon angazhim maksimal në fazën mbrojtëse nga të gjithë.
“Kjo nuk do të thotë se gjithmonë është më mirë për ekipin. Sidomos kur janë tre të tillë, bëhet e vështirë. Futbolli modern është më konkurrues se kurrë”.
“Çdo ekip që lufton për të shpëtuar nga rënia di si të organizohet dhe t’i vështirësojë jetën kundërshtarëve. Prandaj është kaq e vështirë sot të kesh një, dy ose tre lojtarë që nuk vrapojnë apo nuk ndihmojnë mbrojtjen”, shtoi ai.
Vitinha po ashtu theksoi diferencën me ekipin e PSG-së që fitoi më pas Ligën e Kampionëve, duke u fokusuar tek mentaliteti i punës kolektive mbi yjet individualë.
“Shikon sulmuesit krahu duke vrapuar pas mbrojtësit kur sulmojmë. Shikon Dembélé dhe Gonçalo Ramos duke mbrojtur në zonën tonë dhe duke qenë të parët që presin lart. Kjo bëri ndryshimin”.
“Nuk mund të kesh një, dy ose tre lojtarë që nuk vrapojnë. Futbolli sot është për angazhim, presing dhe ndihmën për shokët e skuadrës – edhe për më të mirët në botë”, deklaroi portugezi. /Telegrafi/