Gënjeshtrat dhe shtrembërimet nuk prekin vetëm injorantët. Sa më shumë të dish, aq më i prekshëm mund të jesh ndaj infeksionit.
Nga: Elitsa Dermendzhiyska / aeon.co (16 prill 2021)
Përkthimi: Telegrafi.com
Është një virus të ri në qytet dhe ai nuk po tallet. Mund ta marrësh përmes kontaktit ballë për ballë ose në mënyrë digjitale – domethënë, përmes një njeriu ose një roboti. Pak prej nesh kanë imunitet, disa madje janë pritës të gatshëm; dhe, pavarësisht gjithçkaje që kemi mësuar për të, ky virus po rezulton më dinak dhe më i vështirë për t’u zhdukur sesa mund të kishte pritur kushdo.
Keqinformimi nuk është i ri, sigurisht. Lajmet e rreme ekzistonin edhe përpara shpikjes së shtypshkronjës, megjithëse mashtrimi i parë gazetaresk në shkallë të gjerë ndodhi në vitin 1835, kur New York Sun publikoi gjashtë artikuj që njoftonin zbulimin e jetës në Hënë (konkretisht, njëbrirëshit, njerëzit-lakuriq nate dhe kastorët dykëmbësh). Merrni parasysh gjithashtu gjahun e shtrigave në periudhën e hershme moderne, ose ato mite koloniale që përshkruanin skllevërit si një specie tjetër; breshëritë dydrejtimëshe të propagandës kundër hebrenjve dhe kundër gjermanëve gjatë luftërave botërore, frika e kuqe e makartizmit, madje edhe narrativat utopike të komunizmit. Historia është e mbushur me mashtrim.
Ajo që është ndryshe sot është shpejtësia, shtrirja dhe përmasa e keqinformimit e mundësuar nga teknologjia. Mediat në internet u kanë dhënë zë grupeve më parë të margjinalizuara, përfshirë përhapësit e të pavërtetave, dhe kanë fuqizuar në mënyrë të jashtëzakonshme mjetet e mashtrimit që janë në dispozicion të tyre. Përhapja e të gënjeshtrave tani shtrihet në një cikël viral në të cilin inteligjenca artificiale, trollët profesionistë dhe aktivitetet tona të shpërndarjes së përmbajtjes ndihmojnë për të shumëzuar dhe përforcuar pretendimet mashtruese. Këto zhvillime të reja kanë ardhur pas rritjes së pabarazisë, rënies së angazhimit qytetar dhe dobësimit të kohezionit shoqëror – prirje që na bëjnë më të ndjeshëm ndaj demagogjisë. Po aq alarmuese, një trup kërkimesh në rritje, gjatë dekadës së fundit, po hedh dyshime mbi aftësinë tonë – madje edhe gatishmërinë tonë – për t’i rezistuar keqinformimit përballë provave korrigjuese.
Eksperimentet klasike për të korrigjuar keqinformimin datojnë në fund të viteve ’80 të shekullit XX. Subjekteve u jepeshin njoftime lajmesh nga vendi i ngjarjes së një zjarri fiktiv në një depo, njëri prej të cilëve përmend një dollap me materiale të paqëndrueshme – bidonë me ngjyrë vaji dhe cilindra gazi – të tjerët raportojnë “tym të trashë yndyror”, “vezullim flakësh” dhe “avuj toksikë” që vënë jetën e zjarrfikësve në rrezik. Një njoftim tjetër citon hetuesin policor të çështjes duke deklaruar se në fakt dollapi ishte bosh, përpara se raporti të përfundojë me zjarrin që më në fund u shua.
Pasi kishin lexuar njoftimet, subjekteve u duhej të përgjigjeshin në një sërë pyetjesh të menduara për të testuar njohjen e tyre për korrigjimin e bërë nga hetuesi policor. Duket një test i thjeshtë, megjithatë, në një mori studimesh, njerëzit vazhdimisht dështojnë në të. Në një eksperiment, deri në 90 përqind e subjekteve e lidhën natyrën toksike ose intensitetin e zjarrit me bidonët e ngjyrës së vajit dhe cilindrat e gazit, pavarësisht se asnjë prej tyre nuk u gjet në dollap. Edhe më befasuese, kur u pyetën drejtpërdrejt, shumica e këtyre pjesëmarrësve pranuan lehtësisht dollapin bosh. Studiuesit kanë raportuar rezultate të ngjashme shumë herë, përfshirë edhe duke përdorur tërheqje plotësisht të drejtpërdrejta (“nuk kishte bidon ngjyre ose cilindra gazi”). Megjithatë, pavarësisht sa i qartë është korrigjimi, zakonisht vazhdojnë më shumë se gjysma e referencave të subjekteve ndaj keqinformimit fillestar. Ajo që është e jashtëzakonshme është se njerëzit duket se i përmbahen të pavërtetës ndërsa e dinë se ajo është e rreme. Kjo sugjeron që, edhe nëse përgënjeshtrohen me sukses, mitet mund të depërtojnë ende në gjykimet tona dhe të ngjyrosin vendimet tona – një rezultat i referuar në literaturë si “efekti i ndikimit të vazhdueshëm”.
Pse ndodh kjo? Sipas Jason Reiflerit, profesor i shkencave politike në Universitetin e Eseksit, ne priremi ta marrim informacionin që vjen ashtu siç është, “sepse ekzistenca e shoqërisë njerëzore mbështetet në aftësinë e njerëzve për të bashkëvepruar dhe [në] pritjet për mirëbesim”. Për më tepër, mitet mund të marrin forma delikate, dinake, që shtiren si legjitime, duke i bërë të vështira për t’u zbuluar pa analizë të kujdesshme ose verifikime faktesh. Kjo do të thotë se ata prej nesh që janë shumë të hutuar nga puna e të jetuarit për të ushtruar një përpjekje shtesë mendore, mund t’i nënshtrohen lehtësisht mashtrimit. Dhe, sapo një e pavërtetë të ketë rrëshqitur brenda dhe të jetë koduar në kujtesë – madje edhe dobët – ajo mund të rezultojë jashtëzakonisht ngjitëse dhe rezistente ndaj korrigjimit.
Një nga shpjegimet më të zakonshme për efektin e ndikimit të vazhdueshëm e lidh atë me një boshllëk në modelin tonë mendor, ose historinë që i tregojmë vetes për atë që ndodhi. Nëse miti përshtatet me “logjikën” e ngjarjeve, tërheqja e tij lë një boshllëk, dhe rrotat e historisë nuk bien më në vend. Ne kemi nevojë për bidonët e ngjyrës së vajit dhe cilindrat e gazit: çfarë tjetër do të shpjegonte ndryshe shtëllungat e tymit dhe fuqinë e flakës? Hiqi materialet e paqëndrueshme nga dollapi, dhe në kokën tonë shpërbëhet zinxhiri shkakor i ngjarjeve. Nëse nuk duhet të humbasim koherencën, ka kuptim të kapemi për si pas faktit real ashtu edhe të pavërtetës që përshtatet – por, t’i mbajmë ato të ndara, në seksione, në mënyrë që të mos përplasen. Kjo mund të jetë arsyeja pse, siç tregojnë studimet, ne mund të jemi plotësisht të vetëdijshëm për të vërtetën, e megjithatë ende lejojmë që miti të depërtojë diku tjetër dhe të korruptojë gjykimet tangjenciale.
Një arsye tjetër pse keqinformimi i reziston korrigjimit është përsëritja. Sapo diçka përsëritet mjaftueshëm shpesh – pretendime sensacionale në rrjete sociale; legjenda urbane të përcjella nga një humbës i mërzitur kohe te një tjetër – ajo mund të na mashtrojë ta marrim si të vërtetë thjesht për shkak të njohjes së saj. Efekti i së vërtetës iluzore, siç njihet, sugjeron se sa më e lehtë për t’u përpunuar dhe më e njohur të jetë diçka, aq më shumë ka gjasa ta besojmë atë. Gjë që është pikërisht ajo që bën përsëritja e një pretendimi mashtrues – e bën atë të rrëshqasë lehtë duke forcuar rrugët nervore të lidhura me të.
Kjo mund të paraqesë një sfidë për korrigjimet që funksionojnë duke përsëritur keqinformimin fillestar. Merrni parasysh këtë përgënjeshtrim të një miti që priret të fusë në grackë nënat e reja me shpresa: “Dëgjimi i Mozartit nuk do ta rrisë IQ-në [koeficienti i inteligjencës] e fëmijës suaj”. “Nuk”-i i vogël në mes të fjalisë është gjithçka që e dallon mitin nga korrigjimi – dhe është e lehtë të paramendohet se me kalimin e kohës dhe zbehjen e kujtesës, ai “nuk” do të zhduket, duke lënë simfonitë e Mozartit dhe foshnjat më të zgjuara të lidhura së bashku në kujtesë dhe duke e bërë mitin më të njohur. A mund të bëjë kjo që korrigjimi të dështojë apo madje të ketë efekt të kundërt?
Në vitin 2017, Stephan Lewandowsky, një shkencëtar kognitiv në Universitetin e Bristolit, dhe dy kolegë nga Universiteti i Australisë Perëndimore u përpoqën të hetojnë këtë mundësi. Ata matën besimet e subjekteve të testit të tyre në 20 mite dhe 20 fakte, pastaj korrigjuan mitet në një mënyrë që i përsëriste ato edhe dy herë të tjera. Menjëherë, si edhe 30 minuta më vonë, korrigjimi uli ndjeshëm besimet e subjekteve ndaj – dhe referencat – deklaratave të rreme. Megjithatë, pas vetëm një jave, vlerësimet e besimit u rritën përsëri në pothuajse dyfishin e niveleve të tyre të korrigjuara.
Për shkak se kujtesa bie me moshën, njerëzit më të moshuar mund të jenë veçanërisht të cenueshëm ndaj keqinformimit që përsëritet pasi tërhiqet. Në të vërtetë, në një studim të ngjashëm me të rritur të moshuar, ekipi i Lewandowskyt mësoi se, pas tre javësh, subjektet mbi 65 vjeç përfunduan duke rikujtuar si fakte shumicën e miteve të korrigjuara me sukses. Megjithatë, përsëri nuk ndodhën efektet e kundërta – domethënë, kur korrigjimi në të vërtetë rrit besimin në mit – dhe, pavarësisht disa provave të mëparshme të kundërta, studiuesit tani besojnë se efektet e tilla janë të rralla, nëse ekzistojnë fare. Dhe, megjithëse përmendja e përsëritur e një miti mund ta forcojë atë, përsëritja gjatë korrigjimit duket e sigurt dhe madje e dëshirueshme pasi e bën mitin më të lakueshëm duke e aktivizuar atë në kujtesë.
Në vitet e fundit, ndërsa keqinformimi ka depërtuar në pjesë të gjera të shoqërisë, shkencëtarët kanë kërkuar metodat më efektive për ta kundërshtuar atë. Së fundmi, Lewandowsky udhëhoqi Manualin e demaskimit 2020 [The Debunking Handbook 2020], një përmbledhje onlajn e praktikave më të mira nga 22 prej studiuesve më aktivë në këtë fushë. Kontribuuesit propozuan më shumë se 50 gjetje relevante dhe më shumë se 30 rekomandime praktike, duke i vlerësuar ato sipas rëndësisë dhe forcës së provave të qasshme. Për të përgënjeshtruar me sukses një mit, përfundojnë autorët, ndihmon të jepet një shpjegim alternativ shkakor për të mbushur boshllëkun mendor që tërheqja e mitit mund të lërë. Kundërargumentet funksionojnë gjithashtu, pasi ato vënë në dukje mospërputhjet që përmban miti, duke u lejuar njerëzve të zgjidhin përplasjen midis deklaratës së vërtetë dhe asaj të rreme. Një strategji tjetër është të ngjallet dyshimi mbi burimin e keqinformimit. Për shembull, ju mund të jeni më kritik ndaj zyrtarëve qeveritarë që refuzojnë ngrohjen globale të shkaktuar nga njeriu, nëse dyshoni për interesa të veçanta biznesi pas pretendimeve mohuese.
Megjithatë, disa studiues vënë në dyshim rëndësinë praktike të strategjive të përgënjeshtrimit të hartuara në laborator. Siç ma shprehu Reifler: “A janë efektet ‘pozitive’ të ndërhyrjeve, që po shohim, efekte reale në kuptimin e krijimit të ndryshimeve afatgjata në saktësinë e besimeve të njerëzve? Apo kjo është vetëm një ‘po e pranoj sepse ma thanë – dhe mund të më kishit thënë saktësisht të kundërtën dhe do ta kisha besuar atë’”? Në një botë ku si mediat ashtu edhe platformat onlajn janë kthyer në vatra të keqinformimit, pyetja e Reiflerit tingëllon veçanërisht urgjente. John Cook, studiues i komunikimit për ndryshimet klimatike në Universitetin Xhorxh Mejson në Virxhinia, më tha: “Unë mund të zhvilloj mesazhin perfekt që e përgënjeshtron plotësisht mitin. Dhe, edhe nëse do ta çoja atë mesazh te personi i duhur, çfarë ndodh nëse ai thjesht shkon në shtëpi dhe ndez Fox News-in dhe i hidhen pesë orë me keqinformim? Ai mesazh i veçantë do të fshihet”.
Mund të bëhet edhe më keq. Supozoni se mesazhi perfekt arrin te një person që ka nevojë të çlirohet nga keqkuptimi, dhe madje arrin të korrigjojë besimet e tij të rreme: a do të ndryshojnë qëndrimet dhe sjellja e atij personi në përputhje me këtë? Nëse u thoni njerëzve se 97 përqind e shkencëtarëve të klimës bien dakord për realitetin e ngrohjes globale, studimet tregojnë se ka gjasa të rrisni perceptimin e tyre për konsensusin e ekspertëve mbi këtë çështje. Por, nëse ky ndërgjegjësim më i madh përkthehet në veprim – për shembull, mbështetje për politika të reduktimit të karbonit – kjo mbetet e paqartë. Provat janë të përziera, dhe pyetja ka nxitur “debat dhe mospajtim të konsiderueshëm” midis studiuesve, thotë James Druckman, profesor i shkencave politike në Universitetin Northuestern në Ilinois. Megjithatë, edhe në studimet që kanë një efekt pasues mbi qëllimet, ai efekt është i vogël. Me fjalë të tjera, ju mund t’ua jepni njerëzve faktet, madje mund t’i bëni t’i pranojnë ato – dhe përsëri mund të mos ndryshojë asgjë.
Një demonstrim shqetësues i kësaj mundësie vjen nga fusha e vaksinave. Në një studim të vitit 2016, Reifleri punoi me politologun Brendan Nyhan në Kolegjin Dartmëth në Nju-Hempshir, duke testuar dy qasje për të përgënjeshtruar mitin se vaksinat e gripit në të vërtetë shkaktojnë gripin – një mit pjesërisht përgjegjës për normat e ulëta të vaksinimit dhe mijëra vdekje të parandalueshme nga gripi sezonal në ShBA. Një grup subjektesh ka parë materialet korrigjuese zyrtare nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në ShBA, ndërsa grupi tjetër mori informacion mbi rreziqet e mosvaksinimit. Ky grup i fundit nuk tregoi ndryshim në besimet për mitin, ndërsa në grupin e korrigjimit besimet në mit ranë ndjeshëm, madje edhe te subjektet më skeptike. Dukej se korrigjimi kishte funksionuar – dhe në mënyrë të shkëlqyer. Por, ajo që në fund e interesonte Reiflerin nuk ishin aq shumë besimet e pjesëmarrësve sa qëllimet e tyre për t’u vaksinuar – dhe, në të gjithë mostrën, këto nuk ndryshuan aspak. Subjektet më hezituese ndaj vaksinës përfunduan madje edhe më pak të gatshme për t’u vaksinuar sesa ishin para studimit.
Kur fola me Reiflerin, ai nuk mundi të përmendte ndonjë kërkim që tregonte se komunikimi i sigurisë së vaksinave (ose theksimi i rreziqeve të refuzimit të tyre) kishte efekt pozitiv në qëllimet e njerëzve për t’u vaksinuar. Në këtë pikë të intervistës sonë, unë u stepa. Thjesht dukej shumë absurde që në një çështje jete a vdekjeje, informacioni potencialisht kyç për mbijetesë mund të injorohej ende. E pyeta Reiflerin nëse ai e shihte këtë si zhgënjim. Ai tha se ishte mësuar me këtë. “E gjithë karriera ime është e mbushur me punë që është dëshpëruese. Shakaja ime e zakonshme është se nëse është keq për botën, ndoshta është mirë për kërkimin tim”.
Për të kuptuar plotësisht natyrën e dëmshme të virusit të keqinformimit, ne duhet të rishqyrtojmë pafajësinë e pritësit. Është e lehtë ta shohim veten si viktima të mashtrimit nga akterë keqdashës. Është gjithashtu joshëse të mendojmë se të jesh i keqinformuar është diçka që u ndodh njerëzve të tjerë – disa masa të paemëruara, lehtësisht të ndikueshme nga demagogjia dhe skandali. “Problemi është se njerëzit janë dele”, më tha një mik. E kam dëgjuar këtë ndjenjë të përsëritur herë pas here prej të tjerëve, duke nënkuptuar gjithmonë se unë dhe ata nuk ishim si ata njerëzit e tjerë të keqinformuar. Jo: ne ishim të arsimuar, jemi mësuar të mendojmë, imunë ndaj mashtrimit. Por, siç rezulton, keqinformimi nuk i sulmon vetëm të injorantët: ndonjëherë, ata që duken më pak të cenueshëm ndaj virusit mund të dalin pritësit më të mprehtë të tij, madje edhe ndihmës të tij.
Dëshmi tronditëse për këtë mundësi vijnë nga Dan M Kahan, profesor i drejtësisë dhe psikologjisë në Universitetin Jejlit, i cili ka studiuar se si njerëzit e zakonshëm vlerësojnë rreziqe të ndërlikuara shoqërore. Një drejtim i kërkimit të tij përpiqet të hedhë dritë mbi mospërputhjen ndonjëherë dramatike midis opinionit publik dhe provave shkencore. Së bashku me një grup të vogël studiuesish, në vitin 2010 Kahani u përpoq të çmitizonte këtë mospërputhje në lidhje me ngrohjen globale. Në atë kohë, pavarësisht konsensusit të gjerë midis shkencëtarëve të klimës, vetëm 57 përqind e amerikanëve besonin se ka prova të forta për ngrohjen globale, dhe vetëm 35 përqind e shihnin ndryshimin klimatik si një problem serioz. “Kurrë më parë shoqëritë njerëzore nuk kanë ditur kaq shumë për zbutjen e rreziqeve që përballojnë, por kanë rënë dakord kaq pak për atë që kolektivisht dinë”, shkroi Kahan.
Një shpjegim standard, të cilin Kahani e quan “teza e kuptimit të shkencës”, thotë se njerëzit kanë një njohuri të pamjaftueshme të shkencës dhe nuk kanë gjasa të angazhohen në mendim të qëllimshëm, racional, të nevojshëm për të përthithur këto çështje shpesh komplekse. Është një shpjegim i besueshëm, ndonëse Kahani dyshonte se ai nuk tregon gjithë historinë.
Në studimin e vitit 2010, të botuar në Nature në vitin 2012, Kahani dhe bashkëpunëtorët e tij matën njohuritë shkencore dhe aftësinë numerike të subjekteve dhe i vendosën ato përballë perceptimit të pjesëmarrësve për rrezikun e ngrohjes globale. Nëse teza e njohjes së shkencës do të ishte e saktë, atëherë sa më të ditur të ishin subjektet, aq më shumë do të konvergjonin drejt konsensusit shkencor. Megjithatë, në mënyrë befasuese, të dhënat zbuluan se ata që ishin lart në hierarki dhe individualizëm – vlera karakteristike të një qëndrimi konservator – shfaqnin modelin e kundërt: ndërsa njohuritë e tyre shkencore dhe aftësia numerike rriteshin, në fakt binte shqetësimi i tyre për ndryshimin klimatik. Çfarë e shpjegon këtë paradoks të dukshëm?
Kahani argumenton se, në vend që të jetë një çështje e thjeshtë e inteligjencës ose e mendimit kritik, çështja e ngrohjes globale i aktivizon bindjet thellë të rrënjosura personale. Në njëfarë mënyre, të kërkosh mendimin e njerëzve për ndryshimin klimatik do të thotë gjithashtu t’i pyesësh se kush janë dhe çfarë vlerësojnë. Që konservatorët të pranojnë rrezikun e ngrohjes globale do të thotë gjithashtu të pranojnë nevojën për ulje drastike të emetimeve të karbonit – një ide plotësisht në kundërshtim me vlerat hierarkike dhe individualiste që janë në thelb të identitetit të tyre, të cilin, duke refuzuar ndryshimin klimatik, ata përpiqen ta mbrojnë. Kahani hasi në polarizim të ngjashëm mbi çështjet shoqërore që prekin identitetin, si kontrolli i armëve, energjia bërthamore dhe nxjerrja e naftës e gazit [fracking], por jo mbi tema më neutrale për identitetin, si ushqimet e modifikuara gjenetikisht [GMO] dhe ëmbëlsuesit artificialë. Në rastet ku motivimet për mbrojtjen e identitetit luajnë rol kyç, njerëzit priren të kërkojnë dhe të përpunojnë informacionin në mënyra të njëanshme që përputhen me bindjet e tyre paraprake. Ata mund t’u kushtojnë vëmendje vetëm burimeve me të cilat bien dakord dhe të injorojnë pikëpamjet e ndryshme. Ose mund të besojnë pretendimet e përputhshme pa asnjë mendim, por të mos kursejnë asnjë përpjekje për të gjetur të meta në deklaratat që nuk përputhen: mohuesit më të zgjuar të ndryshimit klimatik ishin thjesht më të mirë se bashkëmoshatarët e tyre në kundërargumentimin e provave që nuk u pëlqenin.
Kjo na drejton në një përfundim shqetësues: që më të diturit ndër ne mund të jenë më shumë, jo më pak, të ndjeshëm ndaj keqinformimit nëse ai ushqen bindje dhe identitete të pëlqyeshme. Dhe, megjithëse shumica e kërkimeve të qasshme na drejtojnë tek njëanshmëria konservatore, liberalët nuk janë aspak imunë.
Në një studim të vitit 2003, Geoffrey Cohen, atëherë profesor i psikologjisë në Jejl, tani në Universitetin Stanford, u kërkoi subjekteve të vlerësonin një program trajnimi për punë të financuar nga qeveria për të ndihmuar të varfrit. Të gjitha subjektet ishin liberale, kështu që natyrshëm shumica dërrmuese (76 përqind) e mbështetën politikën. Megjithatë, nëse subjekteve u thuhej se demokratët nuk e mbështesnin programin, rezultatet përmbyseshin plotësisht: këtë herë, 71 përqind e kundërshtuan atë. Coheni e riprodhoi këtë rezultat në një seri studimesh me ndikim, me pjesëmarrës si liberalë ashtu edhe konservatorë. Ai tregoi se subjektet do të mbështesnin politikat që bien fort në kundërshtim me bindjet e tyre politike nëse mendojnë se të tjerët si ata i mbështesin ato politika. Pavarësisht ndikimit social, të dukshëm për një vëzhgues të jashtëm, pjesëmarrësit mbetën të verbër ndaj tij dhe ia atribuonin preferencat e tyre kritereve objektive dhe ideologjisë personale. Kjo nuk do të ishte befasi për psikologët socialë, të cilët prej kohësh kanë dëshmuar fuqinë e grupit mbi individin, megjithatë shumica prej nesh pa dyshim do të tërhiqeshin nga era e konformizmit dhe sugjerimi që mendimet dhe veprimet tona mund të mos jenë plotësisht tonat.
Megjithatë, për Kahanin, konformizmi me bindjet e grupit ka kuptim. Meqenëse çdo individ ka vetëm një ndikim të papërfillshëm në vendimet kolektive, është e arsyeshme të përqendrohesh në optimizimin e lidhjeve sociale. Përkatësia në një komunitet është, në fund të fundit, një burim jetik i vetëvlerësimit, për të mos përmendur shëndetin, madje edhe mbijetesën. Njerëzit e refuzuar shoqërisht ose të izoluar përballen me rreziqe të shtuara për shumë sëmundje, si dhe me vdekje të hershme. Atëherë, parë nga kjo perspektivë, impulsi për të përshtatur bindjet dhe sjelljet tona me ato të grupeve tona shoqërore, edhe kur ato bien ndesh me tonat, është, sipas Kahanit, “jashtëzakonisht racional”. Për ironi, megjithatë, zgjedhjet racionale individuale mund të kenë pasoja kolektive iracionale. Ndërsa lidhjet fisnore mbizotërojnë, emocionet mposhtin provat, dhe mosmarrëveshja që pason bllokon veprimin mbi çështje të rëndësishme shoqërore.
Së fundmi, mosmarrëveshja publike është shtrirë edhe te vetë ideja e së vërtetës. Termi “post-e vërteta” [post-truth] u bë fjala e vitit nga Fjalori i Oksfordit [Oxford Dictionarie] në vitin 2016, dhe erdhi të karakterizojë zgjedhjet presidenciale në ShBA në atë vit dhe referendumin për Breksitin [Brexit]. Në një punim të vitit 2017, Lewandowsky argumentoi se kemi kaluar “përtej keqinformimit”: “Problemi post-e vërteta nuk është një njollë në pasqyrë”, shkroi ai. “Problemi është se pasqyra është një dritare drejt një realiteti alternativ”. Në këtë realitet tjetër, të shënuar nga rritja globale e populizmit, gënjeshtrat janë shndërruar në një shprehje identiteti, një formë anëtarësimi në grup. Në ShBA, Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Austri, Itali, Poloni, Brazil dhe Indi, populistët kanë kapur një pakënaqësi në rritje ndaj status quo-së, duke vënë “popullin” kundër “elitave” dhe duke sulmuar të ashtuquajturat vlera elitiste – arsimin, provat, ekspertizën.
Në rrëfimin populist, gënjeshtra merr tiparet e anti-establishmentarianizmit, duke minuar të vërtetën si një normë shoqërore. Ky është virusi i keqinformimit në formën e tij më djallëzore: një pikë ku shëndeti (në këtë rast i trupit politik) pushon së qeni i rëndësishëm – siç u demonstrua në mënyrë grafike gjatë sulmit ndaj Kapitolit të ShBA-së këtë janar [2021] – dhe pritësi pranon të infektohet. (E vetmja gjë e mirë që doli nga ajo “kryengritje” është se u morën shpejt masa të forta kundër përhapësve të keqinformimit, me Twitter-in që ndaloi presidentin e atëhershëm Donald Trump dhe pezulloi mijëra llogari të lidhura me QAnon-in.)
Është e lehtë të dëshpërohesh për të gjitha çuditë kognitive, paragjykimet personale dhe instinktet e tufës që mund të zhveshin mbrojtjet tona kundër makinerisë gjithnjë në zhvillim të keqinformimit. Unë me siguri u dëshpërova. Pastaj, gjeta Elizabeth Levy Paluckun. Ajo është një psikologe në Universitetin Prinston që studion reduktimin e paragjykimeve – një fushë në të cilën një shekull kërkimesh duket se ka prodhuar shumë teori, por pak rezultate praktike. Në vitin 2006, ajo udhëhoqi një projekt ambicioz për të reduktuar armiqësitë etnike në Republikën Demokratike të Kongos. Ajo ka përzier një numër teorish të njohura për të krijuar një “koktej trajtimesh”: një dramë radiofonike, në të cilën personazhet e komuniteteve të ndryshme modelonin bashkëpunimin dhe besimin e ndërsjellë; një emision diskutimi, në të cilin drejtuesi lexonte letra të audiencës të mbushura me mesazhe tolerance, dhe i nxiste dëgjuesit të vendosnin veten në vendin e anëtarëve të grupeve të tjera. Asgjë nuk funksionoi. Pas një viti transmetimi, paragjykimi mbeti po aq i rrënjosur si gjithmonë.
Për Paluckun, kjo ishte “një enigmë empirike dhe teorike”, duke e shtyrë të pyesë nëse bindjet mund të jenë variabla e gabuar për të pasur për cak. Kështu ajo iu kthye normave shoqërore, duke arsyetuar se ndoshta është më e lehtë të ndryshosh atë që mendojmë se mendojnë të tjerët sesa atë që bëjmë ne vetë. Në vitin 2012, Palucku testoi një qasje të re për të reduktuar konfliktin mes nxënësve në 56 shkolla të mesme në Nju-Xhersi. Në kundërshtim me besimin e zakonshëm, disa prova sugjerojnë se, larg së qenit produkt i disa fëmijëve agresivë, ngacmimi është normë shoqërore në nivel shkolle, e përjetësuar përmes veprimit dhe mosveprimit, nga mujsharët, viktimat dhe vëzhguesit. Ngacmimi vazhdon sepse konsiderohet tipik dhe madje i dëshirueshëm, ndërsa të flasësh kundër tij shihet si gjë e gabuar. Pra, si e ndryshon kulturën e konfliktit? Përmes ndikimit shoqëror, supozoi Palucku: ti mbjell mbështetës të një norme të re dhe i lejon ata ta transmetojnë atë midis bashkëmoshatarëve të tyre. Në disa shkolla, Palucku bëri që një grup nxënësish të mbështesnin publikisht dhe të modelonin sjellje kundër ngacmimit, dhe shkollat panë një rënie të konsiderueshme të konflikteve të raportuara – 30 përqind mesatarisht, dhe deri në 60 përqind kur grupet kishin përqindje më të larta nxënësish model, të mirë e të lidhur mirë.
Kohët e fundit kam menduar nëse, si dhuna në shkollë, keqinformimi – nëse vazhdon – po bëhet pjesë e kulturës, sepse disa prej nesh marrin pjesë aktivisht në të dhe disa thjesht qëndrojnë mënjanë dhe e lejojnë të vazhdojë. Nëse është kështu, atëherë ndoshta duhet të shqetësohemi më pak për korrigjimin e bindjeve të rreme të njerëzve dhe të përqendrohemi më shumë në ndryshimin e atyre normave shoqërore që e bëjnë të pranueshme krijimin, përhapjen, shpërndarjen dhe tolerancën ndaj keqinformimit. Palucku tregon një mënyrë për ta bërë këtë në praktikë – veprim individual shumë i dukshëm që arrin masë kritike; një mënyrë tjetër mund të përfshijë rregullim më të rreptë të platformave të mediave sociale. Dhe, veprimet tona kanë rëndësi gjithashtu. Siç tha biologu skocez D’Arcy Wentworth Thompson në vitin 1917, “çdo gjë është ajo që është sepse u bë ashtu”. Ne jemi, secili dhe çdo njëri prej nesh, të vendosur në mënyrë të pasigurt midis bashkëfajësisë sonë në botën siç është dhe aftësisë sonë për ta bërë atë siç mund të jetë. /Telegrafi/