Mesfushori i Liverpoolit, Dominik Szoboszlai, vazhdon të shkëlqejë në një sezon sfidues për “Të Kuqtë”, por komentet e fundit nga ylli i Real Madrid, Vinicius Junior, kanë nxitur spekulime për një lëvizje të mundshme drejt “Santiago Bernabeu”.
Vinicius zbuloi se komunikon shpesh me Szoboszlain, duke e renditur atë ndër miqtë e tij më të afërt në futboll, së bashku me Reece James dhe Rafael Leao.
“Flas shumë me Szoboszlain”, deklaroi braziliani për YouTuber-in Ibai Llanos, duke shtuar se janë njohur që në moshë të re dhe se ruajnë një marrëdhënie të fortë edhe jashtë fushës.
Përzgjedhësi i Hungarisë, Marco Rossi, i hodhi më shumë benzinë zjarrit, duke e përshkruar një transferim te Real Madrid si një “ëndërr” për 25-vjeçarin.
“Dominik aktualisht është një nga lojtarët më të mirë në radhët e Liverpoolit dhe në Ligën Premier, falë formës së tij të jashtëzakonshme, ku është zhvilluar shumë dhe qartësisht”, deklaroi Rossi për Winwin.
Szoboszlai, i transferuar nga Leipzigu për 60 milionë euro në vitin 2023, ka qenë një nga lojtarët më të dalluar të Liverpoolit këtë sezon.
Ai ka shënuar dhjetë gola dhe ka dhënë dhjetë asistime në 35 paraqitje në të gjitha kompeticionet, duke qenë shpesh vendimtar në momente kyçe, pavarësisht rezultateve të paqëndrueshme të skuadrës./Telegrafi/