Situata me vërshime mbetet nën vëmendje edhe sot, ndërsa Juniku dhe Malisheva kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të reshjeve të dendura dhe rrezikut nga përmbytjet.
Ekipet e emergjencës janë të angazhuara në terren dhe autoritetet janë në monitorim të vazhdueshëm.
Rajonet më të prekura vazhdojnë të jenë Fushë Kosova, Drenasi, Malisheva, Rahoveci, Klina, Mitrovica, Vushtrria, Skenderaj dhe Gjakova, ku janë raportuar vërshime në oborre, bodrume dhe rrugë të caktuara, ndërsa në Gjakovë është kërkuar edhe evakuimi i mbi 20 familjeve, në koordinim me FSK-në.
Në komunat e tjera, gjendja vlerësohet relativisht e qetë dhe stabile, por nën monitorim të vazhdueshëm nga Agjencia e Menaxhimit Emergjent përmes sistemit të komunikimit emergjent.
Si pasojë e situatës dhe për arsye sigurie, është shtyrë edhe procesi i nisjes së mësimit, i cili do të fillojë më 12 janar.
Për situatën e krijuar me vërshime kanë reaguar të martën përfaqësues shtetërorë dhe ata të partive deri tash në opozitë.
Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur mirënjohje për të gjitha institucionet dhe qytetarët që përballë reshjeve të dendura dhe vërshimeve po reagojnë me përgjegjësi, profesionalizëm dhe solidaritet në mbrojtjen e jetës dhe pronës.
“Sot gjatë ditës kam qenë në komunikim me kryetarët e komunave të prekura, të cilët po udhëheqin menaxhimin e situatës në terren në koordinim të ngushtë dhe me mbështetjen e institucioneve qendrore.
Nga Partia Demokratike (PDK) u kanë bërë thirrje institucioneve qendrore që ta marrin përgjegjësinë e plotë, duke i aktivizuar të gjithë mekanizmat shtetërorë në menaxhim të situatës emergjente.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka kualifikuar situatën si urgjencë kombëtare dhe ka kërkuar që institucionet qendrore dhe ato lokale t’i shumëfishojnë përpjekjet për përballimin e gjendjes.