Milan ka triumfuar në derbin e madh ndaj rivalit të qytetit Interit, në një ndeshje shumë të luftuar në stadiumin “San Siro”.
Kuqezinjtë e drejtuar nga Massimiliano Allegri arritën të menaxhojnë avantazhin e krijuar më herët në takim dhe në fund siguruan një fitore shumë të rëndësishme ndaj rivalit të përjetshëm.
Goli i vetëm i takimit u shënua në minutën e 35-të, kur Pervis Estupinan realizoi pas asistimit të Youssouf Fofana, duke dërguar topin në këndin e majtë të portës dhe duke i dhënë epërsinë kuqezinjve (1-0).
Pjesa e dytë ishte shumë e luftuar, me Interin që kërkoi me ngulm barazimin.
Mike Maignan u tregua vendimtar në portën e Milanit me disa pritje të rëndësishme, ndërsa tentativa e Federico Dimarco në minutën e 54-të kaloi shumë pranë traversës.
Me këtë fitore, Milani e ngushton diferencën në garën për titull. Interi mbetet në krye të tabelës me 67 pikë, ndërsa Milani renditet i dyti me 60 pikë, kur kanë mbetur edhe 10 ndeshje deri në fund të sezonit.
Në fund, Milani ruajti epërsinë dhe festoi një fitore të madhe në derbin e qytetit. /Telegrafi/