Një 30-vjeçar, i cili u plagos me armë zjarri gjatë ditës së sotme në rrugën “Dëshmorët e Marecit” në Prishtinë, ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra.
Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Naser Syla.
“Pacienti nuk u ka mbijetuar plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit. Pacienti ishte i lindur në vitin 1996”, ka deklaruar Syla.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe Policia e Kosovës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pallan, ka bërë të ditur se autoritetet janë njoftuar për një person të lënduar në këtë rrugë dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Rrethanat e incidentit mbeten ende të paqarta, ndërsa hetimet për zbardhjen e rastit janë në zhvillim.