Me rastin e 18-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar urime të shumta nga liderë shtetesh mike, duke konfirmuar mbështetjen dhe partneritetin e vazhdueshëm ndërkombëtar për Kosovën.
Presidenti i Republikës Çeke, Petr Pavel, në mesazhin e tij ka përgëzuar Presidenten Osmani dhe qytetarët e Kosovës, duke vlerësuar marrëdhëniet miqësore dhe partneritetin e konsoliduar ndërmjet dy vendeve.
Ai ka shprehur besimin se bashkëpunimi do të thellohet më tej, duke kontribuar në stabilitetin dhe prosperitetin rajonal, si dhe ka rikonfirmuar mbështetjen e Çekisë për integrimin evropian dhe euroatlantik të Kosovës.
Urime ka dërguar edhe Presidentja e Republikës së Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, e cila ka nënvizuar përkrahjen e Sllovenisë për Kosovën dhe gatishmërinë për thellimin e bashkëpunimit në kuadër të Procesi Bërdo-Brioni, duke e cilësuar këtë platformë si mekanizëm të rëndësishëm për dialog dhe bashkërendim rajonal.
Me mesazh urimi është drejtuar edhe Lartmadhëria e Tij, Carl XVI Gustaf, i cili ka shprehur urimet më të sinqerta për këtë ditë të rëndësishme për popullin e Kosovës, duke i dëshiruar prosperitet dhe mirëqenie qytetarëve të vendit.
Ndërkaq, Mbreti i Holandës, Willem-Alexander, ka dërguar letër urimi Presidentes Osmani, duke përgëzuar shtetin dhe qytetarët e Kosovës për përvjetorin e pavarësisë.
Gjithashtu, Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka theksuar se marrëdhëniet dhe bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve do të vazhdojnë të forcohen në fusha me interes të përbashkët.
Ai ka ritheksuar mbështetjen e Kroacisë për integrimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian dhe NATO-n, si dhe për forcimin e stabilitetit dhe sigurisë në Evropën Juglindore.
Urimet e shumta nga liderët evropianë dëshmojnë për marrëdhëniet e konsoliduara ndërkombëtare të Kosovës dhe përkrahjen e vazhdueshme për rrugëtimin e saj drejt integrimit euroatlantik. /Telegrafi/