Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se Ministria e Shëndetësisë ka aprovuar rekomandimin për zgjerimin e grup-moshave për vaksinim kundër Human Papilloma Virusit (HPV).
Ky vendim synon rritjen e mbrojtjes ndaj infeksioneve me HPV dhe parandalimin e kancerit të qafës së mitrës, si dhe të kancerëve të tjerë të lidhur me virusin.
Vaksinimi kundër HPV do të ofrohet në mënyrë vullnetare për të rinjtë deri në moshën 26 vjeç, ndërsa personat 26–45 vjeç mund të vaksinohen vetëm me rekomandim të klinicistit, bazuar në vlerësimin individual. Për fëmijët 11–12 vjeç, vaksinimi rutinë vazhdon sipas kalendarit të imunizimit.
Instituti thekson rëndësinë e vaksinës.
“HPV është një ndër shkaktarët kryesorë të kancerit të qafës së mitrës dhe disa sëmundjeve të tjera serioze. Vaksina mbron nga tipet më të rrezikshëm të virusit, redukton ndjeshëm rrezikun për zhvillimin e lezioneve para-kanceroze dhe kancerit, dhe është e sigurt dhe shumë efektive sidomos kur merret para ekspozimit ndaj virusit”, thuhet në njoftim.
Përfitimet e zgjerimit të vaksinimit përfshijnë: Ulje të rasteve të kancerit të qafës së mitrës dhe kancereve tjera të lidhura me virusin; mbrojtje më të gjerë për të rinjtë; reduktim të kostove të trajtimit në të ardhmen; përmirësim të përgjithshëm të shëndetit të popullatës.
Vaksina do të jetë e disponueshme në të gjitha Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike në të gjithë vendin. IKShPK inkurajon të gjithë prindërit, të rinjtë dhe qytetarët që të informohen dhe të konsultohen me profesionistët shëndetësorë për vaksinimin kundër HPV.
“Vaksinimi është një nga mënyrat më efektive për të parandaluar sëmundje serioze dhe për të mbrojtur shëndetin individual dhe atë të komunitetit”, njofton IKSHPK. /Telegrafi/