Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i dyti në listën zgjedhore të kësaj partie, Uran Ismaili, i ftuar në emisionin Pressing në T7, ka folur për programin zgjedhor të PDK-së dhe pritjet nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Ismaili theksoi se dallimi kryesor mes kandidatit për kryeministër Bedri Hamza dhe kandidatëve të tjerë është fakti se Hamza gëzon mbështetje përtej ndarjeve partiake, si rezultat i punës së tij të dëshmuar ndër vite dhe në pozita të ndryshme publike.
Sipas tij, Bedri Hamza është politikan që ka ndërtuar besim sepse ka treguar se di t’i realizojë premtimet që i jep qytetarëve.
“Bedri Hamza është ndoshta politikani më i pëlqyer nga të gjitha grupacionet politike dhe është i vlerësuar për faktin se është i dëshmuar. Njerëzit kanë besim se, nëse zoti Hamza thotë se do t’i rrisë pagat në sektorin publik për 50 për qind, ata janë të vetëdijshëm se kemi të bëjmë me një politikan që e ka dëshmuar se mund ta arrijë një gjë të tillë, sepse e ka bërë edhe në të kaluarën. Pra, ai arrin ta planifikojë, ta kalkulojë dhe ta ekzekutojë.” tha Ismaili.
Ai shtoi se ky besim i ndërtuar me vepra është arsyeja pse Hamza shihet si figurë unifikuese dhe si zgjedhje e besueshme për udhëheqjen e vendit pas 28 dhjetorit.