Universiteti Universiteti Haxhi Zeka ka marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore të 28-vjetorit të betejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gllogjan, e njohur si “Epopeja e Dukagjinit”, duke shprehur respekt të thellë për sakrificën e bijve dhe bijave të këtij vendi.
Delegacioni i universitetit, i përbërë nga Prof. Dr. Armand Krasniqi, Prof. Dr. Edmond Beqiri, Dr. sc. Prof. asoc. Alma Shehu-Lokaj dhe Dr. sc. Prof. asoc. Vjosa Hajdari, mori pjesë në këtë ceremoni përkujtimore, duke theksuar rëndësinë e kujtesës historike dhe përkushtimin institucional për lirinë.
“Kjo ngjarje… nuk përfaqëson vetëm një moment historik të rezistencës, por një akt të madh të vetëdijes kombëtare për liri, dinjitet dhe të ardhme”, u shpreh delegacioni.
Ceremonia e zhvilluar në Gllogjan u shndërrua në një hapësirë reflektimi kolektiv, ku historia dhe e tashmja u bashkuan në një ndjenjë mirënjohjeje për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
“Epopeja e Dukagjinit mbetet simbol i pathyeshmërisë dhe i qëndresës, dëshmi se liria nuk është dhuratë, por rezultat i sakrificës dhe i përkushtimit të pakushtëzuar”, thuhet në njoftim.
Një moment i veçantë ishte interpretimi i himnit kombëtar nga Kori i Fakultetit të Arteve të universitetit nën dirigjimin e Prof. Hysen Nimanit.
“Ky interpretim nuk ishte vetëm një akt artistik, por një shprehje e shpirtit universitar që lidhet me vlerat më të larta kombëtare, duke dëshmuar se universiteti ynë nuk është vetëm institucion i dijes, por edhe bartës i kujtesës historike dhe i identitetit kulturor”, theksoi delegacioni.
Universiteti nënvizoi përkushtimin për të edukuar brezat e rinj dhe për të ruajtur kujtesën kolektive.
“Për Universitetin ‘Haxhi Zeka’, pjesëmarrja në ngjarje të tilla nuk është thjeshtë detyrim formal, por një mision i vazhdueshëm për të edukuar brezat e rinj me ndjenjën e respektit ndaj historisë, sakrificës dhe vlerave mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë”, theksohet në njoftim.
Ceremonia përmbylli mesazhin se kujtesa e së kaluarës dhe përgjegjësia për të tashmen janë themeli i ndërtimit të së ardhmes.
“Epopeja e Dukagjinit nuk është vetëm një kujtim i së kaluarës – ajo është një thirrje për përgjegjësi në të tashmen dhe një udhërrëfyes për të ardhmen. Duke nderuar të kaluarën, ne ndërtojmë të ardhmen”, përfundoi njoftimi. /Telegrafi/