Kredia prej 90 miliardë eurosh për mbrojtjen e Ukrainës, e miratuar nga BE në orët e para të mëngjesit të sotëm, nuk do të jetë e mjaftueshme për të mbuluar nevojat financiare të vendit, paralajmëroi ministri i saj i financave.
Serhiy Marchenko u ka kërkuar sot partnerëve të vazhdojnë punën për një kredi dëmshpërblimi, të mbështetur nga asetet e ngrira ruse të mbajtura në vendet aleate të Ukrainës.
“Kredia e dëmshpërblimeve është një zgjidhje sistemike dhe afatgjatë. Ajo do të sigurojë aftësi të qëndrueshme mbrojtëse dhe do ta mbrojë Evropën nga konfliktet e ardhshme”, tha Marchenko, sipas deklaratës së ministrisë së financave të Ukrainës drejtuar vendeve të G7-ës.
Ndryshe, udhëheqësit e Bashkimit Evropian ranë dakord t’i japin Ukrainës një kredi masive pa interes, 90 miliardë euro, për të përmbushur nevojat e saj ushtarake dhe ekonomike për dy vitet e ardhshme.Krerët e shteteve të bllokut prej 27 vendesh kishin planifikuar të përdornin disa nga asetet ruse me vlerë 210 miliardë euro që janë ngrirë në Evropë, kryesisht në Belgjikë.
Por, pavarësisht punës gjatë gjithë natës deri në mëngjesin e së premtes, ata nuk arritën ta bindnin Belgjikën se vendi do të mbrohej nga çdo hakmarrje ruse nëse do të mbështeste planin e kredisë. /Telegrafi/