Shtëpia e futbollit evropian, UEFA ka publikuar një shkrim për kampionin në fuqi të Kosovës, FC Dritën.
Gjilanasit të enjten mbrëma do të përballen me Celjen në Play-Off të Ligës së Konferencës, në një sfidë ku synojnë fitore për të vazhduar të shkruajnë një tjetër histori për ta dhe për futbollin kosovar.
Drita dhe Celje takohen të enjten me fillim nga ora 21:00 në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinës.
Më poshtë është shkrimi i plotë i përkthyer nga UEFA për Dritën:
Kampionët e Kosovës, FC Drita, po përgatiten për përballjen e tyre në fazën eliminatore të Ligën e Konferencës, me mundësinë për ta vazhduar serinë e tyre historike, duke mbajtur mbi supe shpresat jo vetëm të një klubi, por të një vendi të tërë.
“Për të qenë plotësisht i sinqertë, nuk e menduam kurrë se do të merrnim tetë pikë pas katër ndeshjeve të para – as unë, as lojtarët”, ka thënë trajneri Zekirija Ramadani.
Duke u bërë vetëm klubi i dytë nga Kosova që arrin fazën e ligës, përkatësisht fazën e grupeve, të një gare madhore të UEFA-s, Ramadani ishte i vetëdijshëm për sfidën që e priste skuadrën e tij në këtë edicion.
Megjithatë, një seri mbresëlënëse prej dy barazimesh dhe dy fitoresh u siguroi atyre një vend në fazën eliminatore – dhe me të, një kapitull historik si klubi i parë nga Kosova që përparon në fazën nokaut të një kompeticioni për klube të meshkujve të UEFA-s.
Pavarësisht pritjeve, te Drita nuk ka pasur shenja mbingarkese nga pesha e historisë.
“Madje mund të flas edhe në emër të pronarëve tanë, as ata nuk e prisnin. Por ne kemi punuar pa u lodhur”, shtoi Ramadani.
“Jam i bindur se suksesi nuk vjen thjesht kështu; ai duhet të meritohet dhe jam i bindur se ne e kemi merituar këtë sukses”.
“Është një ëndërr të jem pjesë e një turneu evropian”
Mes Dritës dhe raundit të 16-të qëndron skuadra sllovene NK Celje.
Përpara ndeshjes së parë, besimi në kampin gjilanas është i lartë. “Ne kemi cilësinë dhe vullnetin për ta kaluar fazën eliminatore”, ka thënë kapiteni Rron Broja, i frymëzuar nga mundësia për të garuar në skenën evropiane.
“Të jesh pjesë e Ligës së Konferencës do të thotë shumë, për ekipin dhe për tifozët e Dritës. Për një futbollist të lindur dhe të rritur në Kosovë, ka qenë gjithmonë ëndërr të jetë pjesë e një turneu evropian dhe mendoj se kjo është një nga arritjet e mia më të mëdha”, shtoi ai.
Krenari kombëtare
Arritja në raundin e 16-të do të përfaqësonte një moment historik jo vetëm për klubin, por për gjithë futbollin kosovar.
Pavarësisht rezultatit ndaj Celjes, suksesi i Dritës tashmë është arsye krenarie.
“E kemi bërë të gjithë Kosovën krenare dhe është përgjegjësi e madhe të veshësh këtë fanellë”, theksoi Broja.
Edhe portieri Faton Maloku ndan të njëjtin mendim: “Kualifikimi në Evropë është shumë i rëndësishëm për ne si komb – jo vetëm si klub”.
“Ne kemi një histori të thellë, me periudha shumë të vështira. E gjithë kjo është si një shpërblim për sakrificat e njerëzve që kanë kaluar nëpër ato kohë”, tha portieri gjilanas i Dritës. /Telegrafi/