Shtëpitë e futbollit, UEFA dhe FIFA kanë dërguar letra në zyrën e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) për ta uruar presidentin Agim Ademi për rizgjedhjen si kryetar edhe për katër vite.
Ademi si kandidat i vetëm e siguroi edhe një mandat në krye të FFK-së, ku të gjithë e votuan, ndërsa nuk kishte asnjë abstenim apo kundërshtim.
Urimet drejt Ademit kanë ardhur edhe nga shtëpitë e futbollit, që e kanë uruar për rizgjedhjen në krye.
“I nderuar presidenti Agim, jam i lumtur të ndaj urimet për rizgjedhjen tuaj si president i Federatës së Futbollit të Kosovës”.
“Rritja dhe zhvillimi me një ritëm shumë të qëndrueshëm janë qartësisht të dukshme si në futbollin e femrave ashtu edhe në futbollin e meshkujve, ku për herë të parë së shpejti do ta shohim përfaqësuesen kombëtare të garojë në “play-off” për një vend në Kupën e Botës, duke shënuar një moment vërtet të veçantë në kohën e duhur për futbollin në Kosovë”.
“Ju uroj gjithë të mirat, Agim, teksa hyni në kapitullin e radhës plot entuziazëm që ju pret përpara”, thuhet në letrën e presidentit të UEFA-s Aleksandr Ceferin.
Ndërsa, presidenti i FIFA-s Gianni Infantino përpos Ademit, uroi edhe Komitetin Ekzekutiv, si dhe i falënderoi për kontributin e punës që po bëjnë në Kosovë.
“I nderuar z. President,
Ju lutem pranoni përshëndetjet e mia më të përzemërta dhe urimet më të sinqerta për rizgjedhjen tuaj si President i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Do të isha mirënjohës nëse do t’i përcillnit gjithashtu urimet e mia edhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të zgjedhur bashkë me ju, ndërsa shfrytëzoj këtë rast për t’ju falënderuar për të gjitha përpjekjet tuaja, punën tuaj dhe kontributin e rëndësishëm në zhvillimin e sportit tonë dhe promovimin e vlerave të tij në Kosovë.
Ju dërgoj juve dhe ekipit tuaj urimet më të mira për këtë mandat të ri dhe shumë suksese për të gjitha sfidat që ju presin përpara. Pres me kënaqësi, i nderuar z. President, të vazhdojmë bashkëpunimin për rritjen dhe prosperitetin e futbollit në Kosovë në vitet në vijim”, thuhet në letrën e FIFA-s./Telegrafi