Poezi nga: W. B. Yeats
Përktheu: Agron Shala
Për ta mbajtur bindjen e tyre të sigurt
Duhet të akuzojnë për qëllime të ulëta të gjithë ata që janë ndryshe;
Të përmbysin nderin e vjetër; të shesin si lajm
Çfarëdo që fantazia e tyre e shthurur shpik,
E ta murmuritin me frymë të ndalur
Sikur llumi i kanalit të ishte mali Helikon,
E shpifja të ishte këngë. Si mund ta dinë ata që nuk kanë Vetmi,
Se e vërteta lulëzon aty ku ka ndriçuar llamba e studiuesit,
Dhe vetëm aty?
Kështu turma vjen dhe nuk u intereson çfarë mund të vijë.
Ata kanë muzikë të zhurmshme, shpresë që përtërihet çdo ditë
Dhe dashuri më të zjarrta; por ajo llambë vjen nga varri.