Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dalë këtë të martë në një deklaratë për mediat nga selia e PD-së, pas shpërndarjes së protestuesve nga forcat e policisë.
Berisha ka denoncuar ashpër veprimet e policisë gjatë protestës, duke i cilësuar uniformat blu si “banditë dhe kriminelë me uniformë” që, sipas tij, kanë sulmuar qytetarët.
Ai theksoi se vetëpërmbajtja dhe guximi i protestuesve paqësorë janë shumë më të fuqishme se çdo akt dhune i ushtruar ndaj tyre.
Sipas Berishës, durimi dhe qëndrimi i qytetarëve nuk duhet të interpretohet si dobësi, por si shprehje e vendosmërisë për të arritur qëllimet e tyre.
“Provokatorët mund të marrin një mësim që meritojnë”, u shpreh ai, duke falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen dhe qëndrimin paqësor gjatë protestës.
“Vetëpërmbajtja, guximi, qëndrimi paqësor i protestuesve, është qindra herë më i fuqishëm se banditizmi juaj. U them atyre banditëve që goditën protestues, deputetë dhe njerëz me aftësi ndryshe se këtyre guximtarëve u mjaftojnë pak minuta për t’u dhënë atë që meritonin.
Mos mendoni se durimi nuk ka një fund. Ju garantoj se kjo vetëpërmbajtje, vendosmëri e jona, nuk mund të provokohet dhe provokatorët mund të marrin një mësim që meritojnë. Mirënjohje për çdo qytetar që erdhi nga katër anët. 20 shkurt është dita jonë”, u shpreh Berisha.
Në të njëjtën deklaratë, kreu i PD-së njoftoi se protesta e radhës do të mbahet më 20 shkurt, duke paralajmëruar vijimin e aksionit opozitar kundër qeverisë. /EuronewsAlbania/