Pas largimit të Tonit nga shtëpia e Big Brother VIP Kosova, në rrjetet sociale nisën të qarkullojnë pretendime të shumta, ku u hodh ideja se moderatorja Jonida Vokshi kishte shpallur gabimisht emrin e banorit që duhej të eliminohej gjatë spektaklit të së premtes.
Megjithëse Jonida e mohoi menjëherë këtë version, prania e Tonit më pas në ambientin e quajtur “kapsula” vetëm sa shtoi dyshimet, duke bërë që një pjesë e publikut të besonte se largimi i tij ishte rezultat i një lapsusi të çastit, i cili u përpoq të mbulohej.
Përballë këtyre aludimeve që vazhdonin të qarkullonin, moderatorja ka reaguar sërish, kësaj here me një postim të gjatë dhe më të drejtpërdrejtë në Instagram.
Ajo thekson se zakonisht zgjedh t’i marrë situata të tilla me sportivitet, por këtë herë ka vendosur të flasë hapur.
“Ju e keni parë që unë reagoj për çdo situatë me humor… Por u bë boll!” shkruan Jonida, duke sqaruar se formati funksionon mbi një strukturë shumë të rreptë dhe të kontrolluar, ku një gabim i tillë nuk mund të kalojë pa u vënë re.
“Ky format ka një produksion të tërë gjigand nga mbrapa, që edhe sikur (gjë që nuk ndodh kurrë) të gabohet në një emër, ai s’ta lejon”, shprehet ajo, duke mbrojtur profesionalizmin e saj dhe të gjithë stafit.
Në reagimin e saj nuk mungon as ironia ndaj atyre që vazhdojnë të ushqejnë këto thashetheme, duke cituar shprehjen: “Hedh një budalla një gur në lumë, ngrihen 100 të mençur për ta nxjerrë që aty”.
Jonida e mbyll postimin me një apel për më shumë mirëkuptim, dashuri dhe respekt, duke u kërkuar ndjekësve të jenë më të kujdesshëm në gjykime dhe të dinë të dallojnë qartë spektaklin nga realiteti. /Telegrafi/
Jonida Vokshi/Instagram