Qyteti i Durrësit po mirëpret gjithnjë e më shumë turistë të huaj, të cilët kanë zgjedhur të kalojnë disa ditë pushimesh pranverore në vendin tonë.
Temperaturat e buta, çmimet e lira dhe qetësia jashtë sezonit veror janë disa nga arsyet që tërheqin të huajt në këtë periudhë.
“Jam nga India. Oh, është një qytet shumë, shumë i bukur. Sapo isha në plazh, ishte vërtet këndshëm dhe shumë çlodhëse. Kështu që po kënaqem deri tani. Do të qëndroj 4 netë dhe 5 ditë”, u shpreh një turiste indiane.“Jashtë sezonit është më lirë, mot më i mirë se në vendin tim, në Republikën Çeke dhe thjesht desha ta vizitoja, nuk mendova shumë për sezonin. Po kënaqem pamasë!”, tha një i ri nga Çekia.
Ndonëse muzeu arkeologjik dhe ai etnografik nuk janë ende të vizitueshëm, turistët, veçanërisht të rinjtë, nuk e shohin këtë si pengesë, pasi qyteti ofron dhe anë të tjera për të zbuluar.
Një grup të rinjsh nga Çekia thonë se po kalojnë një përvojë shumë të bukur duke zbuluar atmosferën urbane dhe mikpritjen e vendasve.
“Na kanë mbetur edhe dy ditët e fundit. Është e mrekullueshme Shqipëria, Durrësi! Njerëz të mrekullueshëm dhe të gjithë janë shumë të sjellshëm. Dhe të gjithëve u pëlqen skejtbordi”, shprehet një turist tjetër nga Çekia.
Përveç shëtitjeve në qytet e bregdet, vizitorët e huaj vlerësojnë edhe ushqimin, byrekun e ëmbëlsirat tradicionale.
“Ushqimi më pëlqen. Si ëmbëlsirat, edhe frutat e detit e deti gjithashtu. Ne nuk e kemi këtë lloj kulture gatimi. Këtu mund të kesh një furrë buke me të gjitha ato gjëra të mira”, thotë një turist.
Edhe pse sezoni veror nuk ka nisur ende, vizitorët e pranverës tregojnë se Durrësi, është një destinacion tërheqës pothuajse gjatë gjithë vitit./Top Channel
– YouTube youtu.be