KRU “Hidrodrini” ka njoftuar se pas reshjeve të fundit atmosferike, janë paraqitur turbullira në disa nga burimet kryesore të ujit, duke përfshirë burimin e Drinit të Bardhë në Radavc, Mbivadën në Istog dhe burimin e Deçanit.
Nga kompania bëhet e ditur se konsumatorët që furnizohen nga këto burime duhet të tregojnë kujdes të shtuar gjatë përdorimit të ujit për pije.
“Si pasojë e reshjeve atmosferike, janë paraqitur turbullirat e para në burimet e ujit. Për këtë arsye, konsumatorët që furnizohen nga këto burime rekomandohen që ujin për pije ta konsumojnë të vluar”, thuhet në njoftimin e KRU “Hidrodrini”.
Kompania ka theksuar se ky rekomandim vlen deri në njoftimin e radhës, duke siguruar se do të informojë qytetarët sapo situata të stabilizohet dhe uji të jetë i përshtatshëm për përdorim të sigurt.
“Rekomandimi do të vlejë deri në njoftimin e ardhshëm nga ne, ndërsa ekipet tona teknike po monitorojnë vazhdimisht gjendjen në terren”, thuhet më tej në njoftim. /Telegrafi/