Presidenti amerikan Donald Trump i ka kërkuar Kinës, Francës, Japonisë, Koresë së Jugut dhe Mbretërisë së Bashkuar të dërgojnë anije luftarake për të shoqëruar cisternat e naftës përmes Ngushticës së Hormuzit, pasi Irani bllokoi në mënyrë efektive rrugën ujore kritike.
Deri më tani, asnjë vend nuk është pajtuar publikisht me thirrjen e Trump, transmeton Telegrafi.
Një zëdhënës i ministrisë britanike të Mbrojtjes tha se Mbretëria e Bashkuar “po diskuton aktualisht me aleatët dhe partnerët tanë një sërë opsionesh për të siguruar sigurinë e transportit detar në rajon”.
Edhe zyrtarët e ambasadës kineze thanë se Pekini po bën thirrje që armiqësitë të ndalen dhe se “të gjitha palët kanë përgjegjësinë për të siguruar furnizim të qëndrueshëm dhe të papenguar me energji”.
Zyrtarët japonezë thanë se Japonia nuk do të dërgojë anije vetëm sepse Trump kërkoi, duke thënë, “Japonia vendos vetë përgjigjen e saj dhe gjykimi i pavarur është themelor”.
Franca ka thënë se nuk po dërgon anije. Duke postuar në X, Ministria e Jashtme tha, “Jo, aeroplanmbajtësja franceze dhe grupi i saj po qëndrojnë [në] Mesdheun lindor”.
Zyra presidenciale e Koresë së Jugut tha të dielën se do t’i shqyrtojë me kujdes thirrjet e Trump dhe do të “komunikojë ngushtë” me SHBA-në. /Telegrafi/