Presidenti amerikan, Donald Trump ka lëshuar një paralajmërim të fortë në drejtim të Iranit, pasi tha se ka dëgjuar “raporte” se Teherani po u vendos tarifa anijeve cisternë që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, një prej rrugëve detare më të rëndësishme për transportin global të naftës.
Në një deklaratë të publikuar në platformën Truth Social, Trump shprehu shqetësim për këto pretendime dhe kërkoi që çdo veprim i tillë të ndalet menjëherë.
“Ata më mirë të mos e bëjnë këtë dhe, nëse po e bëjnë, më mirë të ndalen menjëherë!”, shkroi ai, duke e shoqëruar mesazhin me një ton paralajmërues ndaj Teheranit.
Deklarata e tij vjen në një kohë tensionesh të vazhdueshme rreth sigurisë në rrugët strategjike detare të Lindjes së Mesme, ku Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një pikë kyçe për eksportin global të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm.
Çdo ndërhyrje apo kufizim në këtë zonë shpesh ka pasoja të menjëhershme në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Deri më tani, nuk ka pasur një konfirmim zyrtar të pavarur për pretendimet se Irani po vendos tarifa të reja për cisternat që kalojnë në këtë korridor detar.
Ky kalim, i cili është vendimtar për tregtinë globale të hidrokarbureve, ishte më parë i bllokuar nga autoritetet iraniane. Ai ka qenë nën kontrollin e tyre që nga fillimi i luftës që filluan Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli më 28 shkurt. /Telegrafi/