Presidenti Donald Trump mohoi të hënën raportet nga “Mediat e Lajmeve të Rreme” se gjenerali i lartë ushtarak amerikan ishte kundër shkuarjes në luftë me Iranin.
Raportet nga shumë media amerikane dhe izraelite sugjeruan se Kryetari i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura, Gjenerali Dan Caine, e kishte paralajmëruar administratën Trump kundër sulmit ndaj Iranit, siç ka kërcënuar presidenti amerikan në javët e fundit, përcjell Telegrafi.
Një zëdhënës i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura theksoi se roli i kryetarit është t’i ofrojë presidentit, shefit të Pentagonit dhe Këshillit të Sigurisë Kombëtare “një gamë opsionesh ushtarake, si dhe konsiderata dytësore dhe ndikime e rreziqe të lidhura, udhëheqësve civilë që marrin vendimet e sigurisë së Amerikës”.
Zyrtari shtoi se kryetari “i ofron këto opsione në mënyrë konfidenciale”.
Në një postim në platformën e tij Truth Social, Trump tha se Gjenerali Caine, “si të gjithë ne, do të donte të mos shihte luftë, por, nëse merret një vendim për të shkuar kundër Iranit në një nivel ushtarak, është mendimi i tij se do të jetë diçka që fitohet lehtë”.
Trump vazhdoi duke përmendur sulmet e verës së kaluar të SHBA-së ndaj programit bërthamor të Iranit, të cilat u orkestruan dhe u kryen nën mbikëqyrjen e Caine.
Presidenti i SHBA-së pretendoi se gjithçka që është shkruar për një luftë të mundshme me Iranin “është shkruar gabimisht dhe me qëllim”, pa dhënë hollësi.
Në javët e fundit, mediat kryesore amerikane kanë raportuar për sulme të mundshme të afërta dhe të detajuara të SHBA-së kundër Iranit.
Shpesh, raportet arrinin në përfundimin se ende nuk ishte marrë asnjë vendim.
“Unë jam ai që merr vendimin, do të preferoja të kishim një marrëveshje sesa të mos kishim, por nëse nuk bëjmë një marrëveshje, do të jetë një ditë shumë e keqe për atë vend dhe, shumë keq, për popullin e tij, sepse ata janë të shkëlqyer dhe të mrekullueshëm, dhe diçka e tillë nuk duhet t’u kishte ndodhur kurrë atyre”, tha Trump në Truth Social.
“Razin Caine është një luftëtar i madh dhe përfaqëson ushtrinë më të fuqishme kudo në botë”. /Telegrafi/