Presidenti amerikan Donald Trump tha të martën se republikanët duhet të fitojnë zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit 2026, përndryshe ai do të shkarkohet nga demokratët.
“Duhet të fitoni zgjedhjet e mesit të mandatit sepse, nëse nuk fitojmë zgjedhjet e mesit të mandatit, thjesht do të jetë – dua të them, ata do të gjejnë një arsye për të më shkarkuar. Do të më shkarkojnë”, tha Trump në një takim për ligjvënësit republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve në Uashington.
Presidenti u bëri thirrje republikanëve të tjerë të luftojnë në një mënyrë më të unifikuar për çështje që variojnë nga politikat gjinore deri te kujdesi shëndetësor dhe reformat zgjedhore, dhe t’ia shesin politikat e tij një opinioni të zemëruar për çështjet e kostos së jetesës.
Agjenda e Trump është në lojë në zgjedhjet e nëntorit, kur do të kontestohen të gjitha vendet në Dhomën e Përfaqësuesve dhe një e treta e vendeve në Senat, transmeton Telegrafi.
Gjatë fjalimit, Trump parashikoi një fitore epike për republikanët në zgjedhje, por gjithashtu shprehu shqetësime për precedentin historik se partia e presidentit në detyrë zakonisht ka rezultate të dobëta.
“Thonë se kur fiton presidencën, humbet zgjedhjet e mesmandatit”, tha Trump në qendrën Kennedy, një qendër artesh performuese në Uashington që kohët e fundit u riemërua për të përfshirë një përmendje të Trump.
“Do të doja të më shpjegonit se çfarë po ndodh me mendjen e opinionit”, tha Trump.
Republikanët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë treguar respekt të madh ndaj Trump deri më tani, duke ia lënë administratës së tij shumicën e autoritetit të Kongresit mbi shpenzimet dhe çështje të tjera.
Por ata kanë filluar të tregojnë shkëndija pavarësie. Dhoma e Përfaqësuesve mund të votojë këtë javë për të rrëzuar një veto që Trump lëshoi muajin e kaluar që anuloi projektet e ujit në Kolorado dhe Utah, megjithëse nuk është e qartë nëse përpjekja do të marrë shumicën e nevojshme prej dy të tretash. /Telegrafi/