Është publikuar një video që tregon se si do të duket i ardhshmi muze dhe biblioteka kushtuar presidentit amerikan, Donald Trump në Miami, një projekt që pritet të ndërtohet në vitet e ardhshme dhe të bëhet një atraksion i madh.
Në vizualizimet e publikuara shihet një ndërtesë e madhe, si një qiellgërvishtës, me emrin ‘Trump’ në majë, e cila do të përfshijë hapësira muzeale dhe një bibliotekë presidenciale.
Në hyrje të objektit është parashikuar vendosja e avionit e cila është dhuratë nga Katari – një Boeing 747-8 luksoz që sipas planeve do të jetë pjesë e ekspozitës së muzeut.
Projekti i bibliotekës presidenciale të Trumpit është planifikuar të ndërtohet në zemër të qytetit të Miami dhe pritet të jetë një ndërtesë ikonike në horizontin e tij, duke përfshirë elemente si replika të Zyrës Ovale, sallone të mëdha dhe ekspozita të avionëve presidencialë.
Kjo nismë vjen ndërkohë që disa autoritete në Florida po e promovojnë vendosjen e emrit “President Donald J. Trump International Airport” për aeroportin ndërkombëtar të Palm Beach, në një përpjekje për të nderuar emrin e presidentit.
Ndryshe, Bordi drejtues i Qendrës Kennedy, një nga qendrat më të njohura amerikane për artet performuese, ka marrë vendimin për të ndryshuar emrin në Qendra Trump-Kennedy. /Telegrafi/