Kampionia në fuqi e Kosovës në basketboll, Trepça, ka vazhduar serinë e jashtëzakonshme të fitoreve, duke mposhtur si mysafirë GO+ Pejën me rezultat 98:95, pas vazhdimeve, në një ndeshje dramatike të xhiros së 22-të të Superligës së Kosovës.
Kjo ishte fitorja e 13-të radhazi për Trepçën, një seri që kishte nisur më 10 dhjetor ndaj Bashkimit.
Në palestrën “Karagaçi” në Pejë, vendasit e nisën më mirë takimin, duke fituar çerekun e parë 20:13.
Megjithatë, Trepça reagoi fuqishëm në periudhën e dytë, të cilën e fitoi 29:18, për të shkuar në pushim me epërsi 42:38.
Çereku i tretë i takoi skuadrës pejane me shifrat 26:24, duke bërë që në dhjetë minutat e fundit të hyhej me rezultat të ngushtë 66:64 për Trepçën.
Rreth shtatë minuta e gjysmë para fundit, GO+ Peja kaloi në epërsi 71:70 me pikët e Musab Malës. Ishte po Mala që, një sekondë para përfundimit të kohës së rregullt, realizoi për tri pikë për 87:87, duke e çuar ndeshjen në vazhdime.
Edhe pesëminutëshi shtesë ishte i baraspeshuar dhe fituesi u vendos në çastet finale. Ja’Cori Payne, gjashtë sekonda para fundit, realizoi një treshe vendimtare për 98:95.
Në aksionin e fundit, Cecil Williams tentoi të barazonte rezultatin, por gjuajtja e tij ishte e pasaktë, duke vulosur fitoren e mysafirëve.
Ja’Cori Payne ishte protagonisti kryesor në triumfin e Trepçës me 27 pikë, pesë kërcime dhe tri asistime. Kenny Hasbrouck kontribuoi me 16 pikë, pesë kërcime dhe pesë asistime. Te GO+ Peja, Cesare Edwards zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer me 30 pikë dhe 17 kërcime, por paraqitja e tij nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.
Trepça vazhdon të kryesojë Superligën me 41 pikë, pas 19 fitoreve dhe tri humbjeve. GO+ Peja mban vendin e katërt me 32 pikë. /Telegrafi/