Nga një qytet i vogël në veri të Norvegjisë, larg qendrave tradicionale të futbollit evropian, FK Bodø/Glimt është shndërruar në një fenomen kontinental.
Pas arritjes në gjysmëfinale të Ligës së Evropës sezonin e kaluar, skuadra arktike po mahnit edhe në ligën e Kampionëve, ku ka mposhtur Manchester City dhe Atlético Madrid, ka barazuar me Tottenham Hotspur FC e Borussia Dortmund dhe ka befasuar Evropën me fitoren ndaj Interit me rezultat 1-0 në play-off.
Pas këtij transformimi qëndrojnë tre figura që kanë ndërtuar një kulturë të rrallë në futbollin modern.
Kjetil Knutsen – trajneri që nuk bën kompromis me idenë
Kjetil Knutsen nuk erdhi nga rrugët klasike të suksesit. Për 15 vjet ai punoi si mësues, ndërsa në futboll u rrit në ligat e ulëta me një filozofi të qartë: sulm i pandërprerë, presion i lartë dhe 4-3-3 pa frikë. Edhe kur rezultatet mungonin, ai nuk ndryshoi bindje.
I shkarkuar në moshën 45-vjeçare pas një rënieje nga kategoria, Knutsen nuk e braktisi stilin e tij. Në vitin 2017 iu bashkua Bodo/Glimt si ndihmës, për t’u bërë më pas trajner i parë.
Sezoni debutues ishte i vështirë, por drejtuesit i qëndruan pranë. Ai ndaloi justifikimet – madje përjashtoi nga zhveshtorja shprehjen “po, por” – dhe ngriti standardet e stërvitjes në maksimum.
Rezultatet ishin dramatike: nga një skuadër që luftonte për mbijetesë, Bodo/Glimt u kthye në kampion dhe rekordmen për gola, pikë e fitore.
Për Knutsen, zhvillimi është mbi gjithçka. “Nuk bëj kompromis me atë që besoj”, është filozofia që sot sfidon gjigantët e Evropës.
Bjorn Mannsverk – piloti që forcoi mendjen e ekipit
Bjorn Mannsverk erdhi në klub pa asnjë lidhje me futbollin. Ish-pilot luftarak me misione në Afganistan dhe Libi, ai solli në Bodo metodat e përgatitjes mendore të aviacionit: meditim, kontroll emocional dhe përqendrim absolut në situata presioni.
Ai vendosi dy kushte: askush të mos detyrohej të punonte me të dhe ai të mos ndërhynte në çështje kontratash. Puna e tij ndryshoi mentalitetin e skuadrës.
Lojtarë si Ulrik Saltnes dhe Patrick Berg u çliruan nga presioni psikologjik, ndërsa komunikimi brenda ekipit u transformua. U krijua “rrethi” pas çdo goli, ku skuadra mblidhet për të reflektuar menjëherë, pa akuza, por me përgjegjësi të përbashkët.
Meditimi kolektiv para stërvitjeve u bë rutinë. Fokusi u zhvendos nga obsesioni me rezultatin te përkushtimi ndaj procesit.
Gabimet nuk fshihen, por analizohen si pjesë e rritjes. Kjo qasje krijoi një ekip që nuk tronditet nga disavantazhet, por reagojnë me qetësi dhe besim.
Frode Thomassen – drejtuesi që vendosi kulturën mbi paratë
Frode Thomassen është arkitekti i stabilitetit institucional. Ai mbështeti Knutsen në momentet kur rezultatet mungonin dhe formuloi filozofinë “Varres mate” – mënyra jonë.
Strategjia ishte e qartë: investim te akademia dhe te lojtarët vendas, me synimin që rreth 40 për qind e skuadrës të vijë nga zona lokale.
Sot, një pjesë e konsiderueshme e formacionit përbëhet nga produkte të akademisë, ndërsa klubi operon kryesisht në tregun skandinav për të ruajtur përputhshmërinë kulturore.
Ndryshe nga shumë klube të vogla që mbijetojnë nga shitjet, Bodo/Glimt vendosi që futbolli të vijë para parave. Të ardhurat nga garat evropiane përdoren për të ndërtuar qëndrueshmëri dhe konkurrueshmëri, jo për të shpërbërë skuadrën çdo verë.
“Paratë nuk blejnë kulturë”, është bindja e Thomassen.
Në një qytet me rreth 50 mijë banorë, larg dritave të mëdha, Bodo/Glimt ka ndërtuar një ambient ku gjithçka rrotullohet rreth stërvitjes, pushimit dhe përkushtimit.
Kur ofertat nga jashtë erdhën për trajnerin dhe specialistin e përgatitjes mendore, ata zgjodhën të qëndrojnë. Besnikëria, kultura e përbashkët dhe besimi te njerëzit janë bërë themeli i suksesit.
Historia e këtij klubi dëshmon se në futbollin modern, identiteti dhe koherenca afatgjatë mund të peshojnë më shumë se çdo buxhet. /Telegrafi/