Me zhvillimin e madh teknologjik, pyetja që shtrohet është a kemi nevojë më për gazetarë? Përgjigja është po dhe tani ka nevojë më shumë se kurrë, pikërisht për çështjet që lidhen me integritetin e informacionit. Sot, kur në platformat onlajn e në rrjete sociale gjithkush mund të publikojë, madje duke gjeneruar edhe me të ashtuquajturën inteligjencë artificiale, gazetaria me integritet e bën dallimin e vërtetë në mes të informacioneve që qarkullojnë dhe lajmeve të cilat e kalojnë një proces standard të verifikimit e të përmbushjes së standardeve profesionale etike, dhe në të njëjtën kohë standardeve të transparencës e autorësisë të cilat e sigurojnë publikun që informacioni që po e marrin është i saktë, i verifikuar dhe i rëndësishëm për ta.
Në fillim të zhvillimeve të mediave sociale ka pasur diskutime, edhe teorike, nëse kjo do ta ndryshojë qasjen e gazetarëve, do ta ndryshojë gazetarinë dhe format e të bërit gazetari. Në fakt, disa prej këtyre janë ndryshuar, por nuk ka ndryshuar esenca e funksionit të gazetarisë për shoqërinë, e cila është raportimi i të vërtetës përmes mekanizmave të standardeve profesionale, vlerave të lajmit dhe standardeve etike. Këta janë filtrat që i sigurojnë publikut që të marrin informacion kualitativ, të verifikuar dhe informacion i cili është i dobishëm për ta.
Nëse e shohim zhvillimin teknologjik dhe ndikimin që ka pas në standardet profesionale të gazetarisë, mundë t’i evidentojmë disa gjëra. E para, presioni kohor është rritur mbi gazetarët, kameramanët e të tjerët, të cilët kanë presion që të publikojnë materialet më shpejt. Ky presion, në rastin e disa mediave në Kosovë, ka ndikuar që disa prej procedurave të anashkalohen, kryesisht ato që lidhen me verifikim të fakteve. Në një studim pilot në vitin 2015 me mediat onlajn në Kosovë, shumica e gazetarëve të pyetur kishin deklaruar që ju duhen vetëm pesë deri në dhjetë minuta kohë prej momentit kur e shohin ndonjë informatë në mediat sociale, për ta publikuar si lajm në median e tyre. Verifikimi si proces mund të marrë kohë nga 20 apo 30 minuta deri në 20 apo 30 ditë – e në rastet e gazetarisë hulumtuese, ndoshta edhe më shumë.
Tani, nëse i shohim ndikimet e tjera që ka sjellë teknologjia në rastin e mediave të Kosovës, ne vërejmë edhe një ndryshim shumë të madh. Nëse flasim për mediat tradicionale, para Web 2.0-shit dhe para mediave sociale, këto media i kanë pasur dy kufij të cilët kanë qenë vështirë të tejkalueshëm. Kufiri i parë, ta zëmë i gazetës, ka qenë një kufi fizik, për shkak të të cilit është dashur të bëhet një përzgjedhje nga 200-300 ngjarje që kanë mundur të ndodhin në ditë, është dashur të bëhet një përzgjedhje dhe në një gazetë me 36 faqe ke mundur të publikosh 50 apo 60 lajme në të gjitha rubrikat – lajmet ditore, rajonale, botërore, sporti etj. Pra, kufiri fizik e ka obliguar përzgjedhjen nga numri i madh i ngjarjeve, që të paraqiten vetëm ato që redaksia i ka konsideruar më të rëndësishme.
Në rastin e televizionit dhe radios, ka një kufi kohor që është ende aktiv, i cili sërish ua bën të mundur gazetarëve që të përzgjedhin. Nga të gjitha ngjarjet që ndodhin në vend dhe në botë, vetëm rreth 15 raportohen si lajme të cilat transmetohen brenda edicionit të lajmeve. Vetvetiu kjo mënyrë e përzgjedhjes, pra këta kufij – kohor dhe fizik – përbën një lloj të filtrimit të informatave duke u bazuar në standarde e vlera të profesionit, si rëndësia, afërsia me publikun, dobia shoqërore dhe vlerave të tjera.
Tani, këta kufij janë thyer nga Web 2.0-shi dhe nga mediat sociale dhe e ashtuquajtura Inteligjencë Artificiale: pra, mund të publikosh kur të duash, sa të duash. Rrjedhimisht, sot shohim se shumë postime të fytyrave publike e politikanëve bëhen lajme për faktin se ka mjaftueshëm hapësirë, ka mjaftueshëm kohë. Thyerja e këtyre dy kufijve, si rezultat i teknologjisë, ka ndikuar që të ketë rënie të asaj që prezantohet si lajm.
Në këtë ambient të digjital, ku gara është shumë e madhe, synimet e mediave duhet të mbesin të qarta – rritja e besimit të publikut, si vlerë dominuese, duke e bërë të qartë dallimin nga influencuesit, YouTube-rët, TikTok-erët, etj. Në një mjedis digjital ku publiku nuk i gjen as emrat e autorëve të teksteve, videove e përmbajtjeve të tjera, dhe nuk jemi të sigurt që ka një autor apo është “vetëgjeneruar” – as emra redaktorësh, pronarësh e kompanish – mediat kredibile duhet të bëjnë dallimin. Ka disa teknika se si ky dallim mund të bëhet – nuk diskutohet më për respektim të standardeve profesionale dhe etike, sepse ato nënkuptohen, por elementet e transparencës si udhëzues, raportet vjetore, videot e përmbajtjet e tjera që tregojnë se si gjykojnë që ngjarja të bëhet lajm.
Pra, hapi i radhës u takon redaksive që të imponojnë këto vlera e standarde për gazetarë dhe redaktorë, sepse në fund të fundit nuk kanë çfarë fshehin nga publiku. Pra, të shfaqin emrat e autorëve dhe redaksisë, të publikojnë dokumente të kodit etik dhe të standardeve profesionale të redaksive të tyre, të njoftojnë për lëshimet apo gabimet e bëra në publikime dhe t’i shpjegojnë ato. Pastaj, t’i publikojnë raportimet e shpenzimeve vjetore, të tregojnë procesin e verifikimit dhe të mënyrës së raportimit që ta rrisin besueshmërinë e publikut. Dhe, krejt këto nuk janë asgjë e re, përveç asaj që kanë aplikuar tashmë media të rëndësishme botërore, si Reuters, BBC, CNN, Radio Evropa e Lirë, AFP etj.