Aktori Tim Curry, i njohur për rolet e tij ikonike si negativ, ka reflektuar së fundmi mbi karrierën e tij dhe ka pranuar se ka disa role që i ka humbur dhe për të cilat ende ndjen keqardhje.
Ai është bërë i famshëm për interpretimet në filma si “Pennywise”, “The Rocky Horror Picture Show” dhe “Home Alone 2: Lost in New York”.
Megjithatë, gjatë karrierës ka humbur disa role të rëndësishme.
Tim Curry
Ndër to është roli i Marv në “Home Alone”, që përfundoi tek Daniel Stern, edhe pse Curry kishte takuar regjisorin Chris Columbus.
Po ashtu, ai nuk arriti të marrë rolin e Malcolm në “Jurassic Park”, që iu dha Jeff Goldblum, dhe nuk u përzgjodh për zërin e Scar në “The Lion King”, rol që e fitoi Jeremy Irons.
Një nga zhgënjimet më të mëdha për të ishte se nuk pati as mundësi audicioni për rolin e Hannibal Lecter në “The Silence of the Lambs”, i cili më pas u interpretua në mënyrë ikonike nga Anthony Hopkins.
Megjithatë, pavarësisht këtyre mundësive të humbura, Curry mbetet një nga aktorët më të veçantë dhe të vlerësuar për rolet e tij karakteristike në kinematografi. /Telegrafi/