Kombëtarja e Turqisë ka mbërritur të hënën pasdite në Kosovë, pas udhëtimit nga Stambolli, ku paraprakisht zhvilloi seancën e fundit stërvitore në qendrën e saj në Riva.
Pas arritjes në Prishtinë rreth orës 17:00, delegacioni turk u drejtua fillimisht drejt stadiumit “Fadil Vokrri”, ku lojtarët inspektuan fushën dhe mbajtën konferencën zyrtare për media, në prag të finales së madhe.
Më pas, skuadra u akomodua në një hotel në qendër të kryeqytetit, aty ku nuk mungoi as përkrahja e tifozëve. Dhjetëra simpatizantë, si nga Turqia ashtu edhe nga Kosova, u mblodhën pranë hotelit për të përshëndetur ekipin dhe për të krijuar atmosferë festive.
Në mesin e tyre pati edhe tifozë që kënduan dhe brohoritën slogane në mbështetje të kombëtares turke, duke e rritur edhe më shumë emocionin para përballjes vendimtare.
Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Turqisë zhvillohet të martën në stadiumin “Fadil Vokrri”, nga ora 20:45, në kuadër të finales së “play-off”-it për një vend në Kupën e Botës 2026, që do të mbahet në SHBA, Meksikë dhe Kanada. /Telegrafi/