Nëse Amerika nuk mund të veprojë shpejt, do të ishte gjë e zgjuar që Evropa të mendojë se si do ta mbrojë veten.
Nga: Gjenerallejtënant Ben Hodges, ish-oficer i Ushtrisë së ShBA-së që ka shërbyer si komandant i Ushtrisë së ShBA-së për Evropën / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Një lojë lufte e publikuar dhe e zhvilluar rishtas në Gjermani, tërhoqi vëmendjen në kryetituj të lajmeve, pasi sugjeroi se Rusia mund të arrijë të rrëmbejë zona të rëndësishme të territorit të NATO-s, pa pasur nevojë për një numër të madh trupash dhe pa pësuar humbje të mëdha.
Loja e luftës u organizua nga gazeta gjermane Die Welt, në bashkëpunim me qendrën e lojërave ushtarake të forcave të armatosura gjermane. Skenari, i vendosur në tetor të vitit 2026, parashikonte që Rusia, duke përdorur si pretekst një krizë humanitare në enklavën e saj baltike, Kaliningradin, do të hynte në Korridorin e Suvalkit – një rrip i territorit polak dhe lituanez midis Kaliningradit dhe aleatit rus, Bjellorusisë.
Në lojën e luftës, preteksti për një ndërhyrjeje humanitare ishte i mjaftueshëm që ShBA-ja të mos ndërhynte, dhe Rusia ishte në gjendje të pushtonte qytetin lituanez të Marijampolit. Ky qytet ndodhet në një nyje të rëndësishme rrugore, përmes së cilës kalon pjesa më e madhe e trafikut mes Polonisë dhe Lituanisë. Rusët, në këtë skenar, arrijnë të nxisin një përçarje mes shteteve baltike që janë anëtare të NATO-s dhe aleatëve të tyre në Jug dhe në Perëndim.
Dy kombet më të fuqishme të NATO-s, që normalisht pritet të veprojnë në këtë korridor edhe pa mbështetjen e ShBA-së, janë Polonia – në Jug – dhe Gjermania e cila mban një brigadë trupash në Lituani. Britania ka një grup të blinduar për betejë në Baltik, por ndodhet më larg, në Estoni.
Në lojë, Polonia u mobilizua, por nuk kaloi kufirin drejt Lituanisë – pjesërisht sepse Rusia do ta paraqiste këtë si përpjekje për të penguar ndihmën humanitare që shkonte në Kaliningrad. Gjermania hezitoi dhe forcat e saj në terren nuk vepruan, pjesërisht sepse Rusia përdori dronë për të vendosur mina në rrugët që çojnë te baza gjermane.
Në fund të lojës, besueshmëria e NATO-s u shkatërrua dhe shtetet e shkëputura baltike rrëshqitën sërish nën dominimin rus. Rusia përdori vetëm rreth 15 mijë trupa.
Sipas mendimit tim, kjo lojë lufte na jep disa mësime shumë të vlefshme.
Dobësia e Lituanisë
I pari dhe më i dukshmi është ai që tregon se mënyra më e mirë për të mbrojtur Evropën është të sigurohemi që Ukraina të mposhtë Rusinë. Forcat ruse i tejkalonin ndjeshëm ato të Ukrainës para pushtimit të vitit 2022, por Ukraina i ndali. Në fakt, ndihma ndaj Ukrainës për të mundur Rusinë do t’i tregonte Putinit se nuk ka shans të fitojë ndaj forcave shumë më të fuqishme të NATO-s.
Pastaj, është e qartë se dështimi i aleancës perëndimore për të adresuar operacionet e Rusisë në zonën gri, gjatë viteve të fundit, i ka inkurajuar ata dhe i ka informuar për dobësitë tona – ndoshta më e rënda prej tyre është mungesa kolektive e vullnetit për t’iu përgjigjur njësoj provokimeve ruse.
Duhet të zhvillojmë një ndjesi urgjence në forcimin e mbrojtjes sonë kibernetike të rrjeteve të transportit, energjisë dhe financës. Gjithashtu, duhet të sigurohemi që aftësitë tona sulmuese kibernetike të jenë të gatshme dhe me efekt shkatërrues.
Besoj, nga raportet që kam parë, se loja gjermane e luftës ishte e projektuar mirë, por dukej se nuk merrte shumë parasysh fuqinë ajrore. Qeveritë ngurruese janë zakonisht më të gatshme të përdorin forca ajrore sesa trupa tokësore, dhe forcat ajrore të NATO-s janë superiore ndaj atyre të Rusisë.
Shtetet evropiane të NATO-s, edhe pa ShBA-në, kanë tani më shumë se 150 aeroplanë luftarakë të gjeneratës së pestë F-35: Rusia ka vetëm disa Su-57 funksionalë, dhe këta nuk janë aeroplanë të mirëfilltë të gjeneratës së pestë. Po ashtu, NATO ka një forcë të fuqishme të aeroplanëve radarë: Rusia mund të mos e ketë më këtë aftësi kritike për luftë ajrore, falë përpjekjeve ukrainase.
|
Përdorur nga Rusia |
Prodhuar nga Rusia |
Çmimi për njësi: 45 milionë dollarë [38.2 milionë euro] |
|
Në shërbim që nga viti 2020 |
Shpejtësia: 2 130 km/h |
Skenari i lojës thekson shumë nevojën për të parandaluar Rusinë, duke qenë të aftë për të vepruar diku tjetër në rast të një lëvizjeje në Korridorin e Suvalkit. Çdo lëvizje e tillë duhet të nënkuptojë që sulmet kibernetike të paralizojnë infrastrukturën e naftës dhe gazit të Rusisë, për shembull, dhe që çdo përdorim rus i Detit Baltik të ndalohet. Kjo do të ndërpriste rrjedhën e naftës së paligjshme nëpërmjet tankerëve të “flotës në hije”, drejt Kinës dhe Indisë, gjë që ka efekt shkatërrues për ekonominë ruse.
Çdo lëvizje e tillë duhet gjithashtu të dekurajohet duke e bërë të kotë – përmes neutralizimit të bazave dhe raketave ruse atje duke i përdorur forcat ajrore dhe sulmet precize nga distanca – hapjen e korridorit drejt Kaliningradit. Nuk do të ishte e nevojshme të shkelej toka ruse ose toka të cilën Rusia e konsideron të vetën, por Kaliningradi duhet të eliminohet menjëherë si aset i Kremlinit.
Si masë shtesë penguese, NATO duhet ta bëjë të qartë se në një skenar të tillë Gadishulli Kola do të sulmohej menjëherë përmes forcës ajrore, sulmeve me rreze të gjatë dhe sulmeve kibernetike, duke neutralizuar bazat e nëndetëseve të Rusisë atje.
Siç e thashë, besoj se loja e luftës ka qenë e projektuar mirë. Megjithatë, kam përvojë të konsiderueshme me mentalitetin ushtarak të NATO-s dhe Gjermanisë, dhe kam shumë më tepër besim – sesa indikacionet që ofron skenari – se forcat e Bundesverit në Lituani, të integruara me aleatët e tyre lituanezë, do të performonin shumë mirë.
Megjithatë, besoj se vendet baltike duhet të jenë të përgatitura – në skenarin më të keq për të luftuar pa përforcime shtesë për deri në dy javë. Nëse kapemi të papërgatitur (edhe pse ky është një skenar shumë i pamundur duke pasur parasysh mjetet moderne të zbulimit që monitorojnë forcat ruse në rajon), do të duhej aq kohë për të mbledhur mjaftueshëm forca tokësore për të hyrë dhe për të kaluar nëpër Korridor. Pra, këto shtete kanë nevojë për një koncept të mbrojtjes së përgjithshme, të ngjashëm me atë të Finlandës në të cilin tërë shoqëria – nëse është e nevojshme – do të mund të shkonte shpejt në luftë.
Duhet të kujtojmë gjithashtu se Suedia dhe Finlanda janë tani anëtare të NATO-s. Ky ishte një gabim kolosal strategjik nga ana e Putinit. Baltiku tani është një liqen i NATO-s dhe ekziston tani një “thellësi” për Shtetet Baltike që nuk ekzistonte më parë. Për shembull, Letonia mbështetet nga Suedia. Forcimi i fundit nga Suedia i ishullit Gotland është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Procese të ngjashme duhet të ndodhin në Svalbard (nga norvegjezët) dhe Ishujt Faro (nga Danimarka).
Duhet gjithashtu të supozojmë se Rusia do të nisë sulme ajrore/raketore/me dronë kundër të gjitha porteve dhe aeroporteve të NATO-s si pjesë e çdo sulmi në të njëjtën shkallë – si ai me të cilin përballen ukrainasit çdo natë. Nuk jemi ende të përgatitur për këtë. Mbrojtja ajrore e NATO-s është potencialisht mjaft e fortë për të zbutur apo zmbrapsur sulmet e tilla, por nuk ushtrohemi mjaftueshëm për operacionet e tilla dhe nuk kemi rezerva të aeroplanëve dhe armëve siç duhet.
Personalisht, si amerikan, do të qëndroja pa hezitim me aleatët tanë evropianë. Megjithatë, besoj se do të ishte gjë shumë e zgjuar për Evropën që të mendojë dhe të ushtrohet se si do të mbrohej nëse Amerika nuk do të vepronte – ose nuk do të vepronte shpejt dhe në mënyrë vendimtare.
Në një rast të tillë, shpejtësia dhe veprimi vendimtar nga Evropa do të ishin edhe më të rëndësishme – siç tregon kjo lojë lufte. /Telegrafi/