Legjenda e Barcelonës, Thierry Henry, i ka bërë thirrje klubit katalanas që në verë të investojë në një sulmues të nivelit më të lartë.
Sipas ish-sulmuesit francez, problemi kryesor i Barcelonës këtë sezon ka qenë efikasiteti në repartin ofensiv, duke mos shfrytëzuar si duhet potencialin e yjeve si Raphinha dhe Lamine Yamal.
“Barcelona ka nevojë për një numër 9 të vërtetë. Një sulmues të nivelit elitar. Po flas për golashënues të frikshëm si Victor Osimhen, Erling Haaland ose Harry Kane. Lojtarë të provuar, jo thjesht talente në zhvillim”, ka thënë fillimisht Henry.
Ai theksoi se me një talent si Yamal në krah, skuadra duhet të jetë më cinike para portës.
“Kur ke një talent si Lamine Yamal, që jep pasime të tilla, duhet të shënosh. Është e thjeshtë. Në këtë nivel, një rast i vetëm mjafton. Kam parë ndeshje ku janë humbur shumë mundësi. Te Barcelona, kjo nuk mund të ndodhë. Kjo është ajo që bën diferencën mes të qenit konkurrues dhe të qenit kampion”.
Ndërkohë, Barcelona është lidhur fuqishëm me një lëvizje të mundshme për Julian Alvarez, i cili aktualisht aktivizohet te Atletico Madrid, dhe që raportohet se mund të kushtojë rreth 200 milionë euro.
Megjithatë, situata financiare e klubit mbetet një pengesë serioze për realizimin e një transferimi të madh gjatë afatit kalimtar veror. /Telegrafi/