Nga: Steve Rose / The Guardian (titulli: Here’s what could be lost if Trump bombs Iran’s cultural treasures)
Përkthimi: Telegrafi.com
Nëse zbatohet, kërcënimi i Donald Trumpit për të goditur “vendet kulturore” në Iran do ta vendoste atë në një bosht të së keqes arkitekturore – përkrah talibanëve dhe ISIS-it, të cilët kanë kryer shkatërrime të ngjashme gjatë këtij shekulli. Talibanët hodhën në erë Budat e Bamianit – të shekullit të gjashtë – në Afganistan, në vitin 2001; ISIS-i ka shkatërruar xhami, faltore dhe struktura të tjera në Irak dhe Siri që nga viti 2014, disa në qytetin e lashtë të Palmirës. Jo – do të mund të mendonit – një shoqëri me të cilën presidenti amerikan do të dëshironte të lidhej.
A e di Trumpi çfarë do të humbiste? Ndoshta jo – por, vështirë se ai është i vetmi. Fakti që vendi vizitohet rrallë nga turistët perëndimorë nuk është për shkak të mungesës së atraksioneve. Me një qytetërim që daton pesë mijë më parë dhe me mbi 20 lokacione të trashëgimisë botërore të UNESCO-s, trashëgimia kulturore e Iranit është e pasur dhe unike, veçanërisht arkitektura e tij fetare, e cila shfaq një mjeshtëri të gjeometrisë, dizajnit abstrakt dhe inxhinierisë paraindustriale – pothuajse të pakrahasueshme në qytetërim. Kjo nuk është vetëm trashëgimia kulturore e Iranit; është e njerëzimit.
Persepolisi
Xhevahiri në kurorën arkeologjike të Iranit: një kompleks monumental që daton nga shekulli i gjashtë para erës sonë dhe që u projektua për të impresionuar – me një tarracë të madhe të ngritur, shkallë madhështore dhe pallate e tempuj prej mermeri. Qyteti është plaçkitur nga shumë vizitorë gjatë historisë, duke filluar me Lekën e Madh, por mbetet ende shumë që Trumpi ta shkatërrojë, përfshirë disa statuja dhe basorelieve jashtëzakonisht të ruajtura mirë të demave, luanëve, krijesave mitike dhe qytetarëve të perandorisë shumëkulturore akamenide.
Xhamia e Shah Çerahut, Shiraz
Emri përkthehet si “Mbreti i Dritës”, dhe me arsye të mirë. Relativisht e zakonshme nga jashtë, brendësia e këtij mauzoleumi është plotësisht e mbuluar me dizajne të ndërlikuara gjeometrike, me mozaik pllakash, duke krijuar një spektakël drite kozmike, pothuajse të botës tjetër. Është vend solemn pelegrinazhi, por efekti është krahasuar me të qenit brenda një topi gjigant të diskotekës islamike. Pikërisht lloji i gjësë që një hotelier me prirje për gjëra të shndritshme mund ta vlerësojë.
Katedralja Vank
Irani ka një histori të gjatë të krishterë, veçanërisht të lidhur me Armeninë në kufirin e tij veriperëndimor. Tri nga kishat më të vjetra në rajon janë vende të trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Katedralja Vank, pranë Isfahanit, u ndërtua nga armenët që u dëbuan në këtë zonë nga Shah Abazi I i Persisë gjatë luftërave osmane në shekullin XVII. Brendësia është një përzierje e gjallë afreskesh dhe gdhendjesh të praruara.
Urat e Isfahanit
Vizitorët perëndimorë janë mahnitur nga bukuria dhe sofistikimi i urave të gjata e të mbuluara të ish-kryeqytetit të Iranit, shumica e të cilave u ndërtuan gjatë shekullit XVII. Ato janë arritje inxhinierike, por edhe plotësisht funksionale. Për shembull, ura madhështore Kaju, e gjatë 130 metra, shërbente si digë dhe portë kulluese për të kontrolluar lumin Zajanderud, si dhe si një mënyrë për ta kaluar atë, ndërsa korridori i saj qendror ishte një hapësirë publike e mbuluar për takime, ku kishte edhe një çajtore.
Xhamia e Sheik Lutfullahut, Isfahan
Jo xhamia më e madhe në qytet, por një nga më të stolisurat, pasi u ndërtua për oborrin mbretëror dhe jo për publikun e gjerë. Brendësia e saj përmban disa nga punimet më të shkëlqyera me pllaka qeramike që gjenden kudo në botë, veçanërisht kupola me modelet e saj gjeometrike jashtëzakonisht të ndërlikuara, që thuhet se i ngjajnë bishtit të palloit – dëshmi e miliona orëve me përkushtim dhe punë.
Faltorja Imam Rezës, Mashhad
Kjo është xhamia më e madhe në botë, një nga vendet më të shenjta në qytetin më të shenjtë të Iranit, me mbi 25 milionë vizitorë në vit. Shkatërrimi i këtij kompleksi xhamish do të ishte i pafalshëm për shumë myslimanë në botë. Përveç varrit të Imam Rezës, imamit të tetë shiit, dhe shumë figurave të tjera fetare, kompleksi përfshin xhami, oborre, një medrese dhe një muze që përmban artefakte të paçmueshme historike.
Pasargadi
Kryeqyteti i parë i Perandorisë Akamenide, i ndërtuar nga Kiri i Madh në një stil të veçantë, me pallate madhështore me kolona dhe ndërtesa të tjera të shtrira nëpër kopshte të mëdha të ndara nga kanale uji. Ky stil me ndikim i kopshtit persian ishte prototip për dizajnin aziatik dhe frymëzoi Taxh Mahallin në Indi dhe Alhambrën në Spanjë. Ndërtesat sot janë kryesisht rrënoja, megjithëse një strukturë e mbetur është varri i supozuar i vetë Kirit.
Varri i Danielit
Edhe nëse nuk e ka lexuar vërtet librin e tij të supozuar të preferuar – Biblën – Trumpi ka të ngjarë të jetë i njohur me Danielin, atë tipin me luanët. Ai mund të habitet kur të mësojë se Danieli – profet në Islam si edhe në Krishterim – besohet të jetë varrosur në qytetin e lashtë iranian Susa. Varri i Danielit, me kupolën e tij karakteristike konike, u përmend për herë të parë në shekullin XII dhe mbetet ende një vend popullor pelegrinazhi.
Fortesa e Bamit
Ndërtesa më e madhe prej balte në botë, që daton nga shekulli i gjashtë para erës sonë. Është më shumë një qytet në majë kodre sesa një strukturë e vetme, i shtrirë në 180 mijë metra katrorë (44 akra), me një fortesë qendrore të rrethuar nga rrugë, shtëpi dhe pazare, të gjitha të rrethuara nga mure shtatë metra të larta. Bami u shkatërrua kryesisht nga një tërmet në vitin 2003, por rindërtimi ka vazhduar që atëherë.
Gonbade Kavus
Një tjetër shembull i përsosmërisë së lashtë iraniane në inxhinieri dhe stil. Kjo kullë funerare 50 metra e lartë daton nga fillimi i shekullit XI dhe një mijë vjet më vonë është ende, me sa duket, kulla më e lartë prej tullash në botë. Dizajni është bukur i thjeshtë dhe i rreptë: në plan është një yll me dhjetë cepa, me një çati konike, plotësisht e thjeshtë përveç dy brezave me kaligrafi rreth pjesës së poshtme dhe asaj të sipërme. /Telegrafi/