Takimi i dytë mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të opozitës, Bedri Hamza të Partia Demokratike e Kosovës, i mbajtur të shtunën, ka përfunduar pa arritur ndonjë marrëveshje për një kandidat konsensual për presidentin e ri të vendit.
Takimi zhvillohet në një moment kritik, pasi Kuvendi i Kosovës ka afat vetëm deri më 4 mars për ta zgjedhur presidentin. Nëse kjo nuk ndodh, Kushtetuta parasheh shpërndarjen automatike të Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.
Kurti: S’ka kandidatë konsensual, PDK le të kandidatin e vet
Pas takimit, kryeministri Kurti deklaroi se palët nuk kanë arritur të gjejnë një emër që do të tejkalonte kufijtë partiakë.
“Ne nuk kemi arritur të kemi një kandidat konsensual, së paku jo deri tani. Lajmi i mirë është që PDK-ja ka një kandidat dhe kjo jep shpresë për garë interesante në javën e ardhshme”, tha ai.
Kurti paralajmëroi se vendi po shkon drejt një gare të hapur partiake për president dhe bëri të ditur se Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë të dielën mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku mund të dalë me një emër.
Ai shtoi se PDK-ja ka 22 deputetë dhe i nevojiten edhe tetë nënshkrime shtesë për të dorëzuar zyrtarisht kandidatin në Kuvend — nënshkrime që, sipas tij, mund t’i sigurojë edhe nga LVV-ja.
Hamza: Kurti nuk e pranoi emrin e propozuar nga PDK
Në anën tjetër, Hamza tha se PDK-ja nuk mori pajtimin e Kurtit për emrin që ata kanë diskutuar në takim.
“Sipas kryeministrit, LVV-ja kërkon që kandidati i PDK-së të jetë gjithashtu i propozuar edhe nga radhët e tyre, dhe në këtë rast rezultati i votimit dihet”, u shpreh Hamza.
Ai theksoi se PDK-ja ka vepruar me “përgjegjësi dhe maturi” për të shmangur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke iu ofruar shumicës edhe një mundësi të dytë.
“Në këtë takim ia ofruam edhe një mundësi të dytë Kurtit: që presidenti të zgjidhet nga kandidati i propozuar nga PDK-ja, për të garantuar stabilitet institucional. Kontributin tonë e kemi përmbushur”, tha ai, duke shtuar se nuk janë përmendur emra konkretë, por vetëm parimi që kandidati të vijë nga PDK-ja.
“Prej sot gjithçka është përgjegjësi e Qeverisë”, përfundoi Hamza.
Reagimi i Çitakut: Zgjedhja e presidentit nuk është garë force
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, reagoi përmes një deklarate, duke theksuar se partia e saj ka shkuar në takim me seriozitet dhe përgjegjësi.
“Partia Demokratike e Kosovës është parti shtetformuese. Në takimin me z. Kurti, Kryetari Hamza nuk ka shkuar për pazare, por për të ofruar mundësi reale për të dalë nga cikli i krizave politike ku jemi zhytur prej kohësh”, shkroi ajo.
Çitaku tha se PDK-ja ka qenë e gatshme të ofrojë kandidatura që garantojnë “siguri institucionale, balancë politike dhe personalitete që do të ishin garant të rendit kushtetues”, duke shtuar se zgjedhja e presidentit “nuk është test force mes partive, por moment që përcakton stabilitetin institucional dhe orientimin shtetëror të Kosovës”.
Ajo u bëri thirrje shumicës parlamentare që të reflektojë.
Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhje të parakohshme, vetëm pak javë pasi është formuar Qeveria e re. Nëse deri më 4 mars nuk sigurohet shumica e nevojshme për zgjedhjen e presidentit, vendi automatikisht futet në proces zgjedhor./Telegrafi/