Ministrat e Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur sot në selinë e NATO-s në Bruksel për të diskutuar çështje që lidhen me Aleancën dhe të ardhmen e saj. Takimi kryesohet nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Temat kryesore të diskutimit janë mbrojtja, Ukraina dhe e tema tjera.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka deklaruar dje se ministrat po takohen në selinë e NATO-s ndërsa Aleanca përgatitet për Samitin në Ankara.
“Kur udhëheqësit të mblidhen në Turqi në korrik, ne do të mbështetemi në vendimet historike të marra në Samitin e Hagës vitin e kaluar. Atje, aleatët ranë dakord të sigurojnë që NATO të jetë një Aleancë më e fortë dhe më e drejtë – duke përfshirë rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në 5% të PBB-së deri në vitin 2035 dhe rritjen e ndjeshme të industrive tona të mbrojtjes. Mezi pres të dëgjoj nga ministrat se si po zbatohen këto vendime dhe si po kontribuon secili për sigurinë tonë të përbashkët”, ka deklaruar kreu i Aleancës Veri-Atlantike shkruan Telegrafi.
Foto: NATO
Ai shtoi se në këtë takim do të diskutohet edhe mënyra se si aleatët po planifikojnë rritje të mëtejshme të shpenzimeve të mbrojtjes, duke siguruar një rrugë të besueshme drejt objektivit të përbashkët.
“Ndërsa aleatët investojnë më shumë, është thelbësore që aftësitë e nevojshme të jenë të disponueshme për t’u blerë. Ne po forcojmë bazën tonë industriale të mbrojtjes. Duhet të prodhojmë më shumë – më shumë mbrojtje ajrore, më shumë municione dhe zinxhirë furnizimi më të fortë në të gjithë Aleancën. Duhet të lëvizim më shpejt, duke adoptuar teknologji të reja, duke përshpejtuar prokurimin dhe duke siguruar që industria e mbrojtjes të ofrojë me shpejtësi dhe në shkallë të gjerë”, ka thënë ai.
Rutte theksoi gjithashtu se është arritur progres në ndarjen e përgjegjësive brenda Strukturës së Komandës së NATO-s.
“Vetëm javën e kaluar, aleatët ranë dakord për një shpërndarje të re të posteve të oficerëve të lartë, me aleatët evropianë që marrin më shumë përgjegjësi – përfshirë edhe anëtarët më të rinj të NATO-s. Ky është një lajm i mirë. Ne po e bëjmë këtë së bashku, duke rishpërndarë rolet në mënyrë që të kenë kuptim për të gjithë të përfshirët.”
Ai bëri të ditur se gjatë takimit do të diskutohet edhe mbështetja për Ukrainën.
“Ministrave do t’u bashkohet Ministri i ri i Mbrojtjes i Ukrainës, Mykhailo Fedorov, dhe do të diskutojmë se si aleatët mund ta rrisin dhe ta bëjnë më efektive mbështetjen për Ukrainën. Do të na bashkohet edhe Bashkimi Evropian, i cili është një partner thelbësor për NATO-n. Bashkëpunimi ynë, përfshirë mbështetjen për Ukrainën, është thelbësor për sigurinë tonë të përbashkët.”
Ballkani Perendimor, Rutte pret llogaridhënie për Banjskën nga Serbia
Shefi i NATO-s, Rutte ka deklaruar gjithashtu se NATO po i ndjek nga afër zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën.
Duke folur para gazetarëve në Bruksel, ai theksoi se NATO është në pritje të llogaridhënies nga Beogradi zyrtar për ngjarjet në Banjskë të vitit 2023.
Rutte nënvizoi se Aleanca vazhdon ta monitorojë nga afër situatën e sigurisë në rajon.
Foto: NATO
Ndërkohë, një zyrtar i NATO-s deklaroi për gazetarët nga Ballkani se Aleanca po i kushton vëmendje të shtuar rajonit, duke marrë parasysh trendet shqetësuese të viteve të fundit, dhe se udhëheqësit lokalë mbajnë përgjegjësi të madhe për stabilitetin.
Sipas zyrtarëve të NATO-s, është e qartë se zgjidhja “nuk është ushtarake, por përmes dialogut politik”.
“NATO mbështet dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës nën udhëheqjen e BE-së dhe shpreson që së shpejti të ketë lëvizje dhe progres, pasi kjo është me rëndësi kyçe për stabilitetin afatgjatë në rajon. Nuk varet vetëm nga bashkësia ndërkombëtare, por edhe nga liderët në rajon që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për një zgjidhje të qëndrueshme.”
NATO Secretary General – Doorstep statement at Defence Ministers Meeting, 12 FEB 2026 www.youtube.com
Sipas zyrtarëve të NATO-s, Ballkani Perëndimor mbetet një rajon me rëndësi strategjike për Aleancën./Telegrafi/.