23-vjeçari Ron Raçi po kalon një nga periudhat më të mira të karrierës së tij. Mbrojtësi kosovar ka zënë vend titullari te gjiganti kroat HNK Hajduk Split, duke u shndërruar në një nga pikat kyçe të skuadrës në javët e fundit.
Në një intervistë për Telegrafin, ai ka folur për përshtatjen në Kroaci, objektivat me klubin dhe ëndrrat me Kombëtaren e Kosovës.
Raçi pranon se fillimi nuk ka qenë i lehtë, por tani ndihet plotësisht i integruar në ambientin e ri.
“Jam i lumtur që po luaj në çdo ndeshje. Si në çdo fillim, të duhet kohë për t’u përshtatur, por tani ndihem shumë mirë dhe kjo më ka ndihmuar që çdo ditë të përmirësohem dhe ta shfaq lojën time”, u shpreh ai.
Ron Raçi në aksion me Hajdukun e Splitit
Paraqitjet e tij të fundit kanë qenë mbresëlënëse, aq sa dy herë është përfshirë në formacionin e javës. Sipas tij, çelësi i suksesit qëndron te puna dhe vetëbesimi.
“Që nga dita e parë në Split, qëllimi im ka qenë të bëhem lojtar kyç i skuadrës. Kam shumë vetëbesim dhe punoj çdo ditë që të jem më i miri në pozitën time. Mendoj se ky është vetëm fillimi”, theksoi Raçi për Telegrafin.
Sa i përket të ardhmes, mbrojtësi nuk i fsheh ambiciet e mëdha, ndonëse aktualisht mbetet i fokusuar te Hajduku.
“Ëndrrat i kam të mëdha dhe do të punoj fort për t’i arritur. Për momentin jam i përqendruar këtu dhe shpresoj të fitojmë trofe. Çdo klub është i arritshëm nëse punon fort, pastaj të tjerat vijnë vetë”, deklaroi ai, mes spekulimeve që e lidhin edhe me klube të mëdha evropiane.
Raçi me topin, në një nga ndeshjet e Hajduk
Në kampionat, Hajduku ndodhet pesë pikë prapa GNK Dinamo Zagreb, por Raci beson fuqishëm te titulli.
“Dinamo është skuadër shumë e fortë, por gara ka nisur që në javën e parë dhe do të vazhdojë deri në fund. Motivi brenda skuadrës është shumë i madh dhe jemi të bindur se mund të shpallemi kampionë. Duhet të jemi të kujdesshëm në çdo ndeshje”, u shpreh ai.
Një kapitull i rëndësishëm për të mbetet edhe Kombëtarja e Kosovës. Raçi pret me padurim grumbullimin për ndeshjet e marsit dhe shpreson të japë kontributin e tij maksimal.
“Çdo herë e pres me emocion ftesën nga Kombëtarja. Jam i gatshëm dhe shumë i përgatitur për të luajtur në të dy ndeshjet”, tha ai, duke shtuar se beson plotësisht në kualitetin e grupit dhe në mundësinë për të arritur një kualifikim historik në Kupën e Botës.
Në fund, ai kishte edhe një mesazh për tifozët kosovarë: “Ndeshjen ndaj Sllovakisë do ta marrim si finale. Nuk do të udhëtojmë për t’u kthyer kokëulur, por për ta vazhduar rrugën drejt Botërorit.”
Raci, i cili ka bërë hapat e parë te KF Ramiz Sadiku dhe më pas shkëlqeu me FC Prishtina, po dëshmon se kalimi në Kroaci ka qenë një hap i madh, por i merituar në karrierën e tij.
Me formën aktuale, ai jo vetëm që ka fituar besimin në Split, por po shndërrohet në një nga emrat më premtues të futbollit kosovar. /Telegrafi/