Publicisti Veton Surroi ka dhënë një interpretim të shkurtër të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës lidhur me dekretin e Presidentes për shpërndarjen e Kuvendit, ku Gjykata i dha Kuvendit edhe 34 ditë për të zgjedhur Presidentin.
Ai ka vlerësuar se konstatimi i Kushtetueses se dekreti i Presidentes “nuk prodhon asnjë efekt juridik” do të thotë se Gjykata konstatoi se nuk kishte mbështetje kushtetuese për të prodhuar efekt juridik shpërndarja e Kuvendit.
“Në të kundërtën, Gjykata do të kishte konsideruar se dekreti prodhon efekt juridik dhe se Kuvendi është shpërndarë”, ka shkruar Surroi në Facebook.
Surroi ka komentuar edhe afatin prej 34 ditësh që Kushtetuesja ia ka dhënë Kuvendit për zgjedhjen e Presidentit:
“GJKK konstaton ‘që deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga dita e hyrjes në fuqi të këtij aktgjykimi, kanë tridhjetë e katër (34) ditë për të zhvilluar dhe përfunduar procedurën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës’. Kjo do të thotë se procedura për zgjedhjen e Presidentit ishte në zhvillim e sipër dhe u ndërpre para kohe nga dekreti i Presidentes së vendit. Ky veprim nuk përmbushte kushtet kushtetuese dhe, rrjedhimisht, nuk prodhoi efekt juridik. Duke mos u mbështetur në Kushtetutë, ai mund të interpretohet si veprim arbitrar”, ka shkruar ai.
Sipas Surroit, Kushtetuesja gjithashtu ka konstatuar se shpërndarja e Kuvendit nuk është rezultat i një vendimi diskrecional të Presidentit, por një pasojë që rrjedh drejtpërdrejt nga Kushtetuta:
“GJKK konstaton gjithashtu ‘që në rast se Kuvendi dështon të zgjedhë Presidentin brenda periudhës së përcaktuar në pikën III të dispozitivit të këtij aktgjykimi (…) Kuvendi shpërndahet ex constitutione dhe, për pasojë, zgjedhjet e parakohshme për Kuvend duhet të zhvillohen brenda dyzet e pesë (45) ditësh’. Rrjedhimisht, shpërndarja e Kuvendit nuk është rezultat i një vendimi diskrecional të Presidentit, por një pasojë që rrjedh drejtpërdrejt nga Kushtetuta në rast të dështimit të zgjedhjes së Presidentit brenda afatit dhe procedurës së përcaktuar”, ka shkruar Surroi.
Ai ka shtuar se “Presidentja e vendit do të mund të ndihmonte në tejkalimin e atmosferës polarizuese që krijoi dekreti i saj i 6 marsit — i cili nuk prodhoi efekt juridik, ngase nuk kishte mbështetje kushtetuese — duke shmangur interpretimet politike të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese”. /Telegrafi/