Tirana po kalon një moment të vështirë, duke luftuar për mbijetesë këtë sezon në Kategoria Superiore, por sulmuesi i talentuar 19-vjeçar Donat Mehmeti duket si një fije shprese për ekipin nga kryeqyteti.
Me ardhjen e trajnerit Orges Shehi, sulmuesi që më parë ka qenë pjesë e KF Llapi dhe FC Prishtina ka fituar besimin dhe minutat te Tirana.
Edhe pse kishte debutuar më parë, në dy ndeshjet e fundit me Shehin në stol ai ka zhvilluar dy herë nga 90 minuta.
Në përballjen e fundit ndaj KF Bylis, ku Tirana u rikthye te fitorja, Mehmeti ishte ndër më të mirët në fushë.
Ai e ndihmoi skuadrën në çdo cep të fushës, duke vrapuar shumë dhe duke i krijuar vështirësi mbrojtjes së Bylisit. Madje edhe goli erdhi pas një presingu të tij të fortë, ku mbrojtja humbi topin dhe më pas Serge Tabekou realizoi golin e fitores.
Në këtë fitore të Tiranës në fushë ishin edhe dy futbollistë të tjerë nga Kosova, Visar Bekaj dhe Diar Halili.
Në një moment jo të lehtë për klubin në kampionat, Donati po tregon personalitet dhe guxim duke marrë përgjegjësi të mëdha për moshën që ka.
Ai po dëshmon se është një talent me potencial të madh dhe një lojtar që mund të bëjë diferencën në të ardhmen.
Me vetëm 19 vjeç, Mehmeti po fiton gjithnjë e më shumë peshë në fanellën e Tiranës, ndërsa vazhdon të presë edhe ftesën nga Kosova U21. /Telegrafi/