Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë njoftojnë se gjatë mbrëmjes së djeshme është raportuar një sulmi fizik dhe kërcënimi me armë në fshatin Gajre, pas çka, personat A.M. (43), E.M. (20) dhe një 16-vjeçar u arrestuan nga policia e Tetovës.
Ata janë kapur në automjetin “Golf”, i cili nuk kishte ndaluar në shenjën e policisë. Policia vazhdon kërkimin e L.M., person gjithashtu i dyshuar për sulmin.
“Më 20.02.2026 në SPB Tetovë, personi Z.I.(39) nga fsh. Gajre ka denoncuar se rreth orës 20.00 në fsh.Gajre është ndaluar nga personi L.M. dhe një i mitur 16-vjeçar, të cilët kanë dalë nga automjeti “Golf” me targa të Tetovës, pas së cilës me forcë e kanë futur në oborrin e një shtëpie pronë e L.M. Atje e kanë kërcënuar me armë zjarri dhe e kanë sulmuar fizikisht me send të fortë. Pas masave të ndërmarra, rreth orës 21.50 në rrugën “Ilinden” në Tetovë, zyrtarë policorë nga SPB Tetovë kanë privuar nga liria A.M.(43) dhe E.M.(20) nga fsh. Gajre, të cilët janë gjetur në automjetin “Golf” i cili paraprakisht nuk kishte ndaluar në shenjën e dhënë nga policia. Në fsh.Gajre, në prani të prindit, është privuar nga liria edhe i mituri 16-vjeçar. Personat janë ndaluar në stacionin policor, ndërsa automjeti është mbajtur për kontroll. Po merren masa për gjetjen e L.M. Pas dokumentimit të plotë do të dorëzohet parashtresa përkatëse”, thonë nga Policia e Tetovës.