Struga ka regjistruar fitoren e parë në pjesën pranverore të kampionatit, pasi ka mposhtur Shkupin në një përballje që ka hapur javën e 22-t, në kuadër të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut, njofton Telegrafi.
Struga Trim Lum ka “thyer akullin” dhe ka regjistruar më në fund fitoren e parë në sezonin pranveror në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut. Kampioni i dikurshëm i vendit ishte bindës para tifozëve të vet, duke e mposhtur Shkupin me rezultat të thellë 5-0 (2-0).
Epërsia e struganëve erdhi kur Hamza dërgoi një krosim perfekt nga e majta, ndërsa në vendin e duhur u gjend Maleski, i cili realizoi për 1-0.
Shkupi u përpoq të rezistojë, por presioni i vendasve vazhdoi gjatë gjithë pjesës së parë. Në minutat e fundit, kapiteni Shabani shënoi për 2-0, duke i dhënë qetësi skuadrës së tij para pushimit.
Struga vazhdoi me ritëm të lartë edhe në pjesën e dytë. Në minutën e 50-të, greku Mazuluhis realizoi për 3-0, duke e çuar ndeshjen pothuajse drejt zgjidhjes. Në vazhdim, dominimi i struganëve ishte i plotë, ndërsa lojtari i futur nga stoli, Kampaore, shënoi dy herë për të vulosur fitoren e thellë 5-0.
Në javën e ardhshme, Struga do të ketë një sfidë shumë më të vështirë, pasi do të përballet me Shkëndijën që po kalon një formë shumë të mirë. /Telegrafi/