Shqipëria kërkon të ndryshojë qasje ndaj sektorit minerar.
Një Strategji Kombëtare deri në 2040-ën synon ta largojë industrinë nga modeli i thjeshtë i nxjerrjes dhe eksportit të lëndës së parë.
Dokumenti parashikon zhvillimin e një zinxhiri të plotë vlere, duke rritur përpunimin, riciklimin dhe prodhimin me vlerë të shtuar brenda vendit.
Një nga risitë kryesore është Plani Kombëtar i Kërkimeve Gjeologjike, i cili për herë të parë do të orientojë kërkim-zbulimet në shkallë kombëtare, me fokus te mineralet kritike dhe strategjike.
“Strategjia synon transformimin e sektorit minerar nga një industri e bazuar kryesisht në nxjerrjen dhe eksportin e lëndëve të papërpunuara, drejt një sektori të integruar industrial që prodhon vlerë të shtuar kombëtare. Ky transformim do të kontribuojë në rritjen e qëndrueshme ekonomike, punësimin afatgjatë dhe zhvillimin rajonal. Përpunimi dhe pasurimi i mineraleve në vend mbetet prioritet strategjik.”
Strategjia e re e lidh drejtpërdrejt sektorin minerar me Aktin Europian për Lëndët e Para Kritike, duke synuar ta pozicionojë Shqipërinë si furnizues të besueshëm për Bashkimin Europian.
“Shqipëria synon të integrohet në zinxhirin europian të furnizimit me lëndë të para kritike, duke garantuar standarde të larta mjedisore, teknologjike dhe të sigurisë. Riciklimi i mbetjeve minerare dhe rehabilitimi i zonave të ndotura do të jenë pjesë e pandashme e zhvillimit të sektorit. Digjitalizimi dhe transparenca do të mbështesin vendimmarrjen dhe besimin publik.”
Strategjia parashikon gjithashtu investime në kapitalin njerëzor, teknologji dhe inovacion, me synimin për një sektor minerar modern, të qëndrueshëm dhe të harmonizuar me standardet europiane. /Tv Klan