Spotify njoftoi se ka arritur 751 milionë përdorues aktivë mujorë (MAU) për tremujorin e katërt të vitit 2025. Ky numër rekord përfaqëson një rritje prej 11 për qind krahasuar me vitin e kaluar dhe një rritje të ndjeshme nga 713 milionë përdoruesit e regjistruar në tremujorin e tretë.
Raporti i të ardhurave tremujore gjithashtu tregoi një rritje prej 10 për qind krahasuar me vitin e kaluar në numrin e abonentëve Premium, nga 263 milionë në 290 milionë. Evropa përbën pjesën më të madhe të abonentëve premium të kompanisë suedeze (36 për qind), ndërsa Amerika e Veriut renditet e dyta (25 për qind).
Spotify i atribuon rritjen e tij disa faktorëve, përfshirë inteligjencën artificiale.
“Ne e konsiderojmë veten si departament i kërkimit dhe zhvillimit të industrisë muzikore. Punë jonë është të kuptojmë shpejt teknologjitë e reja dhe të shfrytëzojmë potencialin e tyre, gjë që e kemi bërë disa herë më parë. E gjithë industria do të përfitojë nga kjo ndryshim paradigme, por besojmë se ata që e pranojnë këtë ndryshim dhe veprojnë shpejt, do të kenë përfitimin më të madh”, tha Gustav Soderstrom, bashkë-drejtor ekzekutiv i Spotify.
Në fund të vitit 2025, Spotify njoftoi se do të largojë një pjesë të “përshtatjeve” të AI-së nga platforma e tij dhe do të ketë “produkte muzikore AI kryesisht të fokusuar te artistët”, por detajet mbetën të paqarta.
Kompania gjithashtu pretendon se Spotify Wrapped i dhjetorit ishte më i madh se kurrë, me më shumë se 300 milion përdorues të përfshirë dhe 630 milionë ndarje në 56 gjuhë. /Telegrafi/