Aktiviteti fizik dhe sporti janë thelbësorë për zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve, por mënyra se si ata përfshihen në sport mund të ndikojë drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre fizike dhe psikologjike.
Kështu ka theksuar ortopedi Qerim Kida në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital.
Ai thekson se në shumë raste, fëmijët po ekspozohen ndaj presionit të panevojshëm nga prindërit dhe trajnerët, duke e kthyer sportin nga një aktivitet rekreativ në një detyrim apo garë të hershme.
“Fëmija nuk e do kompeticionin deri në një moshë të caktuar,” u shpreh Kida, duke shtuar se sporti në moshë të re duhet të shihet si lojë dhe jo si detyrim .
Sipas tij, një nga gabimet më të mëdha është shtyrja e fëmijëve përtej limiteve të tyre fizike dhe emocionale.
“Kur e shtyni fëmijën përtej limitit, i krijoni presion dhe i rrisni egon, duke e larguar nga natyra e shëndetshme e sportit,” theksoi ai .
Ortopedi ngriti shqetësimin edhe për mungesën e edukimit të duhur tek disa trajnerë që punojnë me fëmijë.
“Trajnerët duhet të kenë jo vetëm edukim profesional, por edhe edukim shëndetësor dhe psikologjik, për të mos dëmtuar fëmijët,” tha ai.
“Telefoni dhe shëndeti”, ortopedi Qerim Kida paralajmëron për pasojat në qafë dhe shtyllën kurrizore

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është fakti që vetëm një përqindje shumë e vogël e fëmijëve arrijnë të bëhen sportistë profesionistë, ndërsa pjesa më e madhe duhet të përfitojë nga sporti në aspektin social dhe shëndetësor.
“Vetëm një pjesë e vogël bëhen profesionistë, ndërsa pjesa tjetër duhet të zhvillohet si individë të shëndetshëm dhe socialë,” potencoi Kida.
Në këtë drejtim, Kida rekomandon që prindërit të respektojnë dëshirën e fëmijës dhe ta inkurajojnë atë të merret me sport si formë rekreacioni, sidomos në moshat e hershme.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
– YouTube www.youtube.com