Prokuroria e përfaqësuar nga prokurori, Matt Halling tha se katër të akuzuarit janë fajtorë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm dhe duhet të shpallen të tillë.
“…ata duhet të shpallen fajtorë dhe janë fajtorë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”, tha prokurori Halling.
Prokurori përpara kësaj tha se të akuzuarit kanë ruajtur dhe avancuar fokusin e tyre ndaj oponentëve përmes deklaratave dhe rregulloreve. Sipas tij, këto rezultuan me ndëshkimin e këtyre personave, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Të akuzuarit kanë ruajtur dhe avancuar fokusin e viteve të mëhershme të UÇK-së që oponentët iu kushtonin shumë atyre në kuptimin që nuk po i lejonin që ata të kishin kontroll të plotë mbi Kosovë. Ata kanë nxjerrë komunikata publike dhe deklarata që kanë dënuar, kërcënuar dhe që janë zotuar që do i ndëshkojnë këta oponentë dhe këta oponentë në fund sigurisht që u ndëshkuan”, tha ai.
Prokurori shtoi se të akuzuarit kanë nxjerrë rregullore që kanë kodifikuar trajtimin e pamëshirshëm i cili ndodhi më pas ndaj oponentëve.
“Ata kanë përgatitur e kanë nxjerrë rregulla e rregullore duke kodifikuar trajtim të pamëshirshëm dhe më pas trajtimi i pamëshirshëm ndodhi vërtetë në realitet. Të akuzuarit kanë vepruar në përputhje me deklaratat e bëra nga vetë ata dhe kontribuuan në mënyrë të drejtpërdrejtë në disa prej krimeve të ngritura në aktakuzë”, tha ai.
Halling tha se personat që ishin besnikë ndaj këtyre të akuzuarve e kanë bërë të njëjtën gjë.
“Autorët e veprave nuk janë ndëshkuar sepse krimet ndaj oponentëve ishin pjesë e asaj se çka të akuzuarit kishin planifikuar që të bënin që prej fillimi dhe kjo ka ndodhur gjithandej”, tha Halling.
Ai tha se kjo ka ndodhur në mbi 50 qendra ndalimi në Kosovë dhe në Shqipërinë veriore.
“Dokumentacioni dhe procesverbali i kësaj çështjeje tregon historinë se të akuzuarit duke bërë atë që kishin thënë që do bënin i çon ato në një qëndrim tonin që ata duhet të shpallen fajtorë dhe janë fajtor përtej çdo dyshimi të arsyeshëm”, tha tutje prokurori.
Me kaq përfundoi seanca e sotme për të vazhduar të mërkurën më 18 shkurt 2026, ku ndër tjerash do të dëgjohen edhe deklarata nga ana e të akuzuarve.
ZPS- trupit gjykues: Mbrojtja po u thotë mos bëni punën tuaj, mos jeni gjyqtarë në këtë çështje
Prokurori Matt Halling tha se përmes parashtrimeve të tyre, mbrojtja po iu thotë trupit gjykues të mos e bëjnë punën e tyre dhe mos të jenë gjyqtarë në këtë çështje.
“Kemi dëgjuar disa fjalë të reja. Ndërkohë që kemi kontrolluar të gjitha poshtë-shënimet për të qenë sa më transparentë me mbrojtjen…Çfarë kemi vënë re është që argumentet e tyre të përgjithshme nuk përkojnë me retorikën e përgjithshme. Argumentet janë të tilla; mos vlerësoni lirisht provën sepse është material sipas Rregullës 140, paragrafi 4; mos i zgjidhni mungesat e konsistencave por zgjidhni vetëm rrugën e provave shfajësuese; mos iu bëni dëshmitarëve shumë pyetje; mos i injoroni opinionet e dëshmitarëve ndërkombëtarë të cilët kanë punuar për vende që kanë vendosur që duhet të ketë tribunal të mëtejshëm apo jo; mos e mendoni më shumë se ç’duhet situatën”, tha prokurori.
Prokurori Halling tha kjo është një sinjal i qartë i kërkesës së lartpërmendur nga ana e mbrojtjes.
“E gjithë kjo është një sinjal i qartë. Është sinjalizim në një mënyrë apo tjetrën që interpretohet kështu; mos e bëni punën tuaj, mos jeni gjyqtarë në këtë çështje”, tha ai.
Prokurori tutje tha se i gjithë dokumentacioni gjyqësor i çështjes tregon se të akuzuarit kanë drejtuar dhe vepruar me qëllimin e përbashkët kriminal.
“I gjithë dokumentacioni gjyqësor i çështjes tregon që të akuzuarit përmes abuzimit të pozicionit të tyre dhe strukturave që kanë drejtuar kanë vepruar me qëllim të përbashkët kriminal dhe kanë kontribuar në mënyrë domethënëse drejtë këtij qëllimi”, tha Halling.
Prokuroria e pranon gabimin në dosjen përfundimtare: Vendosëm Krasniqin në kërcënimet që kishte bërë Thaçi
Prokurori Matt Halling pranoi se në dosjen e tyre përfundimtare kishin vendosur Jakup Krasniqin në pretendime se ka kryer kërcënime në vend se ta vendosnin Hashim Thaçin.
“Mbrojtja e Thaçit në transkript… kishte gjetur një gabim në dosjen tonë përfundimtare ku gabimisht kishim vendosur kontributin e Krasniqit dhe e kishim gabuar me kërcënimet që kishte bërë Thaçi. Domethënë, nuk duhet të kishim thënë që ishte kontribut që e ka bërë Krasniqi”, tha Halling.
Halling tha se nuk duan të thonë që s’bëjnë gabime kur përfshijnë persona lidhur me kontributet e tyre, por shtoi se nuk mund të zhbëhet asnjë prej provave gjyqësore që kanë.
“Ne, nuk duam të themi që ne nuk bëjmë asnjë gabim asnjëherë kur përfshijmë personat individualisht lidhur me kontributin. Megjithatë, nuk mund të zhbëjmë të gjitha provat gjyqësore që kemi”, u shpreh ai.
Mirëpo, përpara kësaj, Halling tha se Krasniqi ka qenë pjesë e Shtabit të Përgjithshëm sikurse të gjithë të akuzuarit e tjerë.
“Jakup Krasniqi ka qenë pjesë e Shtabit të Përgjithshëm sikurse të gjithë të akuzuarit”, tha ai.
Prokurori tha se të akuzuarit zgjodhën që të jenë pjesë e Shtabit për një periudhë të gjatë kohore, ndërkohë që po ndodhnin krime për të cilat ngrihen edhe akuzat në këtë çështje gjyqësore.
“Zgjodhën të ishin pjesë e Shtabit të Përgjithshëm për një periudhë të gjatë kohe ndërkohë që krimet për të cilët ngrihen akuzat në këtë çështje gjyqësore, vijonin të kryheshin në përputhje me komunikimet, urdhrat dhe vendimet e Shtabit të Përgjithshëm”, tha Prokurori.
Ai shtoi se ajo që ka bërë Shtabi i Përgjithshëm ka qenë përgjegjësi individuale.
“Ajo që bëri Shtabi i Përgjithshëm sigurisht që ka përgjegjësi individuale. Të akuzuarit nuk kanë pse të identifikohen me emra në secilën provë të vetme që kemi ne për të dalë në përfundimin se kanë dhënë kontribut kriminal”, tha ai.
Ai tha se nuk është e vertetë që janë fokusuar vetëm në provat inkriminuese dhe se kanë shpërfillur provat shfajësuese./Betimi për Drejtësi