Këngëtarja e njohur shqiptare Soni Malaj, e cila aktualisht është pjesë e spektaklit “Ferma VIP 3”, ka surprizuar publikun me një rrëfim të sinqertë për jetën e saj personale gjatë një bisede me konkurrentet Fabjola dhe Dona.
Në këtë diskutim, artistja foli hapur për marrëdhënien me vajzën e saj, Anna, si dhe për raportin që vazhdon të ketë me ish-bashkëshortin, balerinin dhe aktorin italian Mirko. Soni theksoi se, edhe pse rrugët e tyre si çift janë ndarë, ata kanë zgjedhur të ruajnë një marrëdhënie të qetë dhe të respektueshme, duke vendosur gjithmonë në plan të parë mirëqenien e vajzës.
Detaji që mori më së shumti vëmendje nga biseda ishte fakti se Soni Malaj dhe ish-partneri i saj jetojnë ende në të njëjtën shtëpi në Itali. Këngëtarja sqaroi se bëhet fjalë për një vilë shumë të madhe, e cila u mundëson të dyve të kenë hapësirat e tyre personale, pavarësisht se ndodhen nën të njëjtën çati.
Sipas saj, kjo zgjedhje është bërë për të ruajtur stabilitetin dhe qetësinë emocionale të Annës, duke shmangur ndryshime të mëdha në rutinën dhe jetën e përditshme të saj.
Deklarata e Sonit nuk kaloi pa reagime brenda fermës, pasi Fabjola u shfaq e habitur nga kjo situatë, duke e cilësuar si një vendim jo të zakonshëm për shumicën e njerëzve.
Rrëfimi i këngëtares u komentua gjerësisht edhe nga publiku, duke sjellë vëmendje të re ndaj saj dhe ndaj mënyrës se si ajo ka zgjedhur të menaxhojë jetën familjare pas ndarjes. /Telegrafi/