Paneli i incidenteve kyçe të Ligës Premier ka dalë në përfundimin se Brighton duhej të përfitonte një penallti në ndeshjen e javës së 29-të kundër Arsenalit, e cila përfundoi me rezultat 0–1.
Incidenti ndodhi në minutat shtesë të pjesës së parë, kur mesfushori i Brighton, Mats Wieffer, depërtoi në zonë në përpjekje për të pritur një krosim nga krahu, përpara se të rrëzohej nga Gabriel Martinelli.
Gjyqtari Chris Kavanagh nuk akordoi faull, ndërsa sistemi VAR nuk ndërhyri.
Pas rishikimit të situatës, katër nga pesë anëtarët e panelit u shprehën se duhej të jepej penallti.
Tre prej tyre gjithashtu vlerësuan se arbitrat e VAR-it duhej të rekomandonin një rishikim të aksionit në fushë.
Ky është rasti i tretë gjatë këtij sezoni në Ligën Premier, kur një gabim në arbitrim ka sjellë mosakordimin e një penalltie ndaj Arsenalit, në ndeshje që londinezët i kanë fituar me diferencë minimale prej një goli. /Telegrafi/