Në Prishtinë, Sindikata e Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSK) ka zhvilluar një takim me kryetarët e shoqatave sindikale, ku janë diskutuar çështje kyçe që prekin punëtorët e sektorit privat.
Kryetari i sindikatës, Jusuf Azemi, gjatë këtij takimi dhe në konferencën për media, theksoi se fokusi kryesor ishte rritja e pagave për punëtorët e kompanive publiko-private, pagesa e pagës së 13-të, si dhe organizimi i protestës së paralajmëruar për 1 Maj.
“Kemi diskutuar për rritjen e pagave të punëtorëve të kompanive publiko-private, për pagën e 13-të dhe për organizimin e protestës më 1 Maj”, deklaroi Azemi.
Sa i përket kërkesës për rritjen e pagave, ai bëri të ditur se është marrë një vendim i rëndësishëm për punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit fizik që financohen nga Komuna e Prishtinës.
“Është marrë vendim unanim që nga 1 dhjetori, nëse pagat e tyre nuk janë me kontratë 600 euro, këta punëtorë në mënyrë kolektive do t’i lëshojnë vendet e punës”, tha ai, duke shtuar: “I bëj thirrje Komunës së Prishtinës që ta marrë seriozisht këtë çështje”.
Azemi e cilësoi si diskriminuese mungesën e pagës së 13-të për sektorin privat.
“Paga e 13-të është një diskriminim ndaj punëtorëve të sektorit privat dhe ne nuk do të heqim dorë nga kjo kërkesë. Qeveria ende ka kohë ta korrigjojë këtë, pasi buxheti është i përbashkët për sektorin publik dhe privat”, u shpreh ai.
Duke folur për pakon e paralajmëruar nga ministri Hekuran Murati, ai shprehu pakënaqësinë e sindikatës.
“Pakoja 2.0 për luftimin e inflacionit nuk i adreson në mënyrë të qëndrueshme problemet e punëtorëve të sektorit privat”, deklaroi Azemi.
Në fund, ai theksoi se sindikata do të vazhdojë të kërkojë rritje të pagës minimale.
“Ne mendojmë se nga 1 korriku paga minimale duhet të jetë 600 euro”, përfundoi ai.
Pjesëmarrësit në takim u dakorduan që të marrin pjesë në protestën e 1 Majit, me qëllim realizimin e kërkesave të tyre për kushte më të mira pune dhe trajtim të barabartë. /Telegrafi/