Federata Sindikale e Punëtorëve Teknikë të Sektorit Privat të Kosovës (FSPTSPK) ka bërë të ditur se punëtorët e sigurimit fizik dhe teknik në Ministrinë e Punës po marrin paga më të ulëta se paga minimale e përcaktuar nga Qeveria që nga 1 janari i këtij viti.
“Punëtorët teknik të cilët punojnë në Ministrinë e Punës, ku qëndron Ministri Andin Hoti, kanë marrë pagë më të vogël se sa paga minimale që ka ndryshuar nga 1 Janari 2026 sipas Vendimit të Qeverisë”, thuhet në njoftim.
Sindikalistët theksojnë se punëtorët janë ankuar për pagat e muajit janar dhe nuk kanë marrë rritje.
“Sot është data 10 Mars dhe këta punëtorë ende nuk i kanë marrë pagat e tyre për muajin Shkurt, që sipas të gjitha gjasave do të ju ofrohet e njëjta pagë”, theksohet më tej.
Situata sipas federatës ka krijuar kaos të vërtetë në shumë spitale dhe institucione publike në Kosovë, për shkak të vonesave dhe keqpërdorimeve që po ndodhin.
“Punëtorët ende nuk i kanë marrë pagat e tyre për muajin paraprak, fajtor sipas deklarimit të pronarëve të kompanive janë Ministritë përkatëse dhe Kuvendet Komunale pasi që këto nuk ua alokuan mjetet e nevojshme kompanive që kryejnë shërbime për institucionet publike dhe komunale”, thuhet në njoftim.
Sindikata po heton keqpërdorimet dhe apelon për transparencë dhe zgjidhje të menjëhershme.
“Sindikata po hulumton keqpërdorimet që po bëhen në kurrizin e punëtorëve dhe shumë shpejt do të dalin me të dhëna të sakta për këta keqpërdorues”, theksohet në njoftimin e FSPTSPK-së. /Telegrafi/